hefi i diplomacisë rumune, Bogdan Auresku sot nga Shkupi porositi se Rumania nuk do ta mbështesë ndarjen e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian.
“Nuk ka bisedime për ndarjen e Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë. Nuk e mbështesim këtë ndarje. Është e rëndësishme të gjendet zgjidhje sa më shpejtë që të fillojnë negociatat me të dyja vendet së bashku”, tha Auresku në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Auresku potencoi se Rumania është mbështetëse e fuqishme e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe në të njëjtën kohë jemi duke punuar ngushtë në çështje shumë më komplekse.
Osmani, nga ana tjetër, nga ana e tij potencoi se vendimi për ndarjen e Shkupit dhe Tiranës është i vendeve-anëtare dhe nëse ato arrijnë konsensus Shqipëria t’i fillojë negociatat.
“Thashë edhe paraprakisht se nuk është në interes afatgjatë për Shqipërinë të ndahet prej nesh në këtë rrugë. Kështu që nëse të paktën deri në një fazë të procesit derisa kriteret politike janë kyçe e ndihmojmë njëri-tjetrin, në afat të gjatë do të krijohet një sinergji që e çon të gjithë procesin përpara. Kuptohet se Shqipëria ka të drejtë ta ngritë zërin, të thotë se i kemi përmbushur të gjitha kriteret, pasi unë jam peng i dosjes së një shteti tjetër. Megjithatë, jam i vetëdijshëm se edhe Shqipëria e ndan mendimin se në afat të gjatë kjo nuk u konvenon dhe shumë vende-anëtare vlerësojnë se kjo do ta përkeqësonte dinamikën rajonale nëse ndodhë kjo”, potencoi Osmani.
Sipas tij, tani për tani nuk ka sinjal nga asnjë vend-anëtar i cili do të preferonte ndarjen nga paketa.
“Të gjithë janë të interesuar që të përfundojë kjo punë për të dyja shtetet. Por se çështja do të aktualizohet nga qershori, nëse ne nuk i fillojmë negociatat, për këtë jam i sigurt. Se Shqipëria do të jetë shumë më e zëshme, se do të tentojë të lobojë dhe se do të ketë vende-anëtare të cilat do të tregojnë se me të vërtetë do të duhet të gjendet zgjidhje, ndërsa kjo neve nuk do të na përgjigjet. Prandaj duhet të jemi të fokusuar të mos vijmë në situatë kjo çështje të aktualizohet”, vlerësoi Osmani.
Kryeministri Rama disa herë paralajmëroi se do të kërkojë ndarjen e Shkupit dhe të Tiranës, në rrugën drejt BE-së, nëse Maqedonia e Veriut nuk e zgjidhë deri në qershor çështjen me Bullgarinë.