Moska tha se do të dëbojë katër diplomatë austriakë pasi Vjena dëboi katër punonjës të misionit të huaj të Rusisë në Austri, teksa tensionet janë rritur për shkak të konfliktit në Ukrainë.
Ministria e Jashtme ruse tha se dëbimi i diplomatëve ka qenë një “hap jomiqësor dhe i pajustifikuar” që “shkakton dëme serioze në raportet dypalëshe, që veçse kanë qenë në krizë për shkak të veprimeve nga pala austriake”.
Austria dhe shtete të tjera të Bashkimit Evropian kanë dëbuar dhjetëra diplomatë rusë, që kur Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022. Rusia është kundërpërgjigjur në të njëjtën mënyrë.
Ministria e Jashtme ruse tha se ka thirrur në bisedë ambasadorin austriak në Moskë dhe e informoi atë se katër punonjës të Ambasadës austriake në Rusi janë shpallur “persona të padëshiruar”.
Atyre u është dhënë afat deri më 23 shkurt që të largohen nga Rusia.
“Ambasadorit po ashtu iu paraqitën vështirësitë për pajisjen me viza nga delegacionet ruse që udhëtojnë për në Vjenë”, tha Ministria e Jashtme ruse.
Më herët gjatë shkurtit, Vjena njoftoi për dëbimin e katër diplomatëve rusë, përfshirë dy diplomatë të akredituar në Kombet e Bashkuara, duke thënë se ata kanë vepruar “në mënyrë të papërshtatshme me statusin e tyre diplomatik”.
Dëbimet e diplomatëve në Austrinë neutrale janë të rralla, pasi ky shtet ka pasur raporte të ngushta me Rusinë para se Moska të niste luftën kundër Ukrainës.