Rusia ka njoftuar se ka dëbuar konsullin ukrainas në Shën Peterburg, Oleksandr Sosoniuk, pas ndalimit të diplomatit nën dyshimet se ka tentuar të sigurojë informacion të klasifikuar.
Sosoniuk, i cili është ndaluar më 17 prill, para se të lirohej dhe të kthehej në konsullatë, duhet të largohet nga territori rus deri më 22 prill, ka thënë Ministria e Jashtme e Rusisë, përmes një deklarate.
Shërbimi Federal i Sigurisë në Rusi ka thënë se Sosoniuk ka tentuar të sigurojë informacion për databazat rreth sundimit të ligjit në Rusi, gjatë një takimi me një qytetar të paidentifikuar rus.
Këto zhvillime vijnë në kohën e tensioneve në rritje në mes të të dyja shteteve, pasi Moska ka rritur prezencën ushtarake afër kufirit me Ukrainën, si dhe në Krime, rajonin e aneksuar nga po ky shtet.
Marrëdhëniet në mes të Kievit dhe Moskës kanë qenë të tensionuara prej kur Rusia ka aneksuar Krimenë më 2014 dhe ka nisur mbështetjen ushtarake, ekonomike dhe politike për separatistët në disa zona në lindje të Ukrainës.