Ukraina njoftoi të mërkurën shkëmbimin e një numri rekord prej 215 ushtarësh të burgosur me Rusinë, duke përfshirë 10 të huaj dhe komandantët që drejtuan mbrojtjen e fabrikës së çelikut Azovstal të Mariupolit në fillim të këtij viti.
Të huajt e liruar përfshinin dy britanikë dhe një maroken, të cilët ishin dënuar me vdekje në qershor pasi u kapën duke luftuar për Ukrainën. Tre britanikë të tjerë, dy amerikanë, një shtetas kroat dhe një suedez u liruan gjithashtu.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tha se shkëmbimi, i cili ishte në përgatitje për një kohë të gjatë, përfshinte ndihmë nga Turqia dhe Arabia Saudite.
Në të njëjtën kohë, Rusia priti 55 të burgosur, përfshirë Viktor Medvedchuk, një ish-deputet ukrainas i akuzuar për tradhti të lartë, tha Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy në fjalimin e tij të përditshëm.
Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi të enjten se 55 ushtarakë të liruar në shkëmbimin më të madh të të burgosurve me Ukrainën që nga fillimi i “operacionit special ushtarak” të Rusisë janë tani në Rusi.
“Të gjithë ushtarakët janë dërguar në territorin e Federatës Ruse me avion transporti ushtarak dhe ndodhen në institucionet mjekësore të Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë”, tha ministria në një deklaratë.
Argumentum.al