Rusia filloi të enjten stërvitjet ushtarake në Bjellorusi, ndërsa Britania nisi përpjekjet e reja diplomatike mbi krizën rreth Ukrainës, duke paralajmëruar Moskën se lufta me fqinjin e saj do të ishte katastrofike për Rusinë, Ukrainën dhe Evropën.
Pamjet e publikuara nga ministria ruse e Mbrojtjes të enjten shfaqën tanke dhe sisteme raketash që po përdoren në stërvitje si dhe avionë ushtarakë në vendndodhjen e paidentifikuar të stërvitjeve në Bjellorusi.
Zyrtarët amerikanë kanë paralajmëruar se Rusia mund të sulmojë Ukrainën pas grumbullimit të trupave pranë kufijve të saj dhe kanë akuzuar Moskën për rritjen e tensioneve duke mbajtur stërvitje të përbashkëta ushtarake në Bjellorusi, ndërsa NATO thotë se është dislokimi më i madh i trupave që nga Lufta e Ftohtë.
Rusia mohon planifikimin e një sulmi dhe thotë se ka të drejtë të lëvizë trupat e saj, siç e sheh të arsyeshme në territorin e saj dhe atë të aleatëve, sipas marrëveshjes mës tyre. Ajo thotë se stërvitjet e saj ushtarake janë të natyrës mbrojtëse.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha javën e kaluar se Rusia pritej të vendoste 30,000 trupa në Bjellorusi, forcat e operacioneve të psoacmë Spetsnaz, avionë SU-35, sisteme të mbrojtjes ajrore S-400 dhe raketat Iskander me aftësi që të bartin koka bërthamore.
Ukraina filloi të enjten stërvitjet e saj që do të zgjasin sa ato të Rusisë, deri më 20 shkurt.
Forcat ukrainase, numri i të cilave nuk është bërë i ditur, do të përdorin dronët Bayraktar dhe raketat antitank Javelin dhe NLAW, të siguruara nga partnerët e saj. Kievi do të marr një dërgesë shtesë të ndihmës ushtarake amerikane më vonë të enjten./voa