Eksluzivisht për ARGUMENTUM
Nga Dr.Jorgji KOTE
Operacioni ushtarak turk « Burimi i paqes » në kufirin verior me Sirinë më 9 Tetor kundër milicëve kurde (SDF dhe YPG) pas dritës së gjelbër që i dha Presidenti Trump duke tërhequr trupat amerikane nga ato zona është në qendër të vëmendjes së komunitetit ndërkombëtar. Ajo i vuri SHBA-të, BE-në, NATO-n, Rusinë, Sirinë dhe vetë Turqinë në një bankoprovë të re me pasoja të panjohura për të ardhmen politike në Lindjen e Mesme, Evropë dhe më gjerë. Për të kuptuar më mirë dinamikën e kësaj ngjarjeje le të analizojmë shkurt shkaqet dhe synimet e vërteta të ndërhyrjes turke dhe reagimet nga “ lojtarët” kryesorë ndërkombëtarë.
Së pari, Turqia ka kohë që është përfshirë nga ankthi dhe makthi lidhur me restaurimin e Perandorisë Osmane, e cila deri në fund të Shekullit të XVIII shtrihej në një sipërfaqe prej 20 milion km katrore, ndërsa Turqia e sotme vetëm me 783.000 km që mesa duket i “ rri ngushtë” Erdoganit. Meraku i tij më i madh në këtë fushë janë Ballkani, Lindja e Mesme dhe Egjeu. Kësisoj, Siria përbën një mundësi të artë për zbatimin e kësaj strategjie themelore.
Së dyti, sfida e Sirisë me të cilën Turqia ka kufirin më të gjatë me 911 km. Deri mbarimin e Luftës së I Botërore ajo ishte pjesë e Perandorisë Osmane, por më vonë ka qenë problematike për Turqinë. Një ndër shkaqet kryesore është se në Siri në pushtet kanë qenë vazhdimisht alavitët kundërshtarë të Turqisë, kurse shumica siriane janë myslimanë sunitë që Turqia i mbështet fuqishëm. Marrëdhëniet turko-siriane patën një goxha “ behar” diplomatik në vitin 2004 me shkëmbimin e vizitave në Ankara dhe Damask nga Erdogan dhe Assad, madje ata i kaluan bashkë dhe pushimet verore, manovra të përbashkëta ushtarake dhe shkëmbime në fusha të tjera. Mirëpo, ky behar u kthye në “ dimër pas “ Pranverës arabe” kur këto dy vende, nga miq u bënë armiq.
Shkaku i tretë lidhet me faktin se Siria i dha strehë armikut Nr.1 të shtetit turk, shefit të PKK-së kurde. Nga ana tjetër, duke qenë përqëndrimi më i madh në Siri, krijimi i shtetit kurd atje do të nxiste dhe vëllezërit e tyre në Turqi, duke shtuar kërcënimet për Turqinë. Aq më tepër kur Erdogan i ka konsideruar milicët kurdë sirianë armiq dhe terroristë si Shteti Islamik. Së katërti, gjendja e brendshme politike dhe siguria në Turqi. Sidomos disa muaj pas dështimit të Partisë AKP të Erdogan në zgjedhjet lokale, ku humbi pothuajse të gjitha qytetet e mëdha, përfshirë dhe Stambollin dhe tentativat për bashkimin e të gjithë spektrit të opozitës turke në një front të vetëm janë kambana të fuqishme alarmi për Erdoganin; bashkë me largimin e ish – paraardhësit të tij, Gyl dhe ish-kryeministrit Davutogllu, themelues dhe ideologë të AKP-së dhe “ Neo-otomanizmit” për të krijuar një parti të re anti – Erdogan. Për pasojë, popullariteti i AKP-së është në pikiatë dhe pa ndonjë alternativë tjetër të brendshme. Kësisoj, në përpjekje për të rimarrë kontrollin e situatës dhe me mbështetjen e opozitës turke për luftë ndaj kurdëve, Erdogan shpreson të forcojë pozitat e të shkojë i sigurt në zgjedhjet e reja presidenciale me kartën kurde.
Për këtë qëllim, ai po shfrytëzon dhe dobësitë, ndjeshmëritë dhe përçarjet ndërmjet aktorëve/faktorëve madhorë ndërkombëtarë – interesin e Trump për t’u tërhequr nga Siria dhe dasitë me Rusinë; dëshirën e Putinit për largimin e SHBA-ve nga Siria, për të shkëputur lidhjet e saj me kurdët sirianë dhe forcimin e rregjimit të Asadit.
Sa i takon BE-së, ajo është e pafuqishme për të kundërvepruar, pasi Erdogani i ka lidhur asaj “duar e këmbë” me Marrëveshjen e vitit 2016 lidhur me strehimin e gati 3 milion refugjatëve sirianë në Turqi, lirimi i të cilëve do të ishte shumë më tepër se një tërmet i papërballueshëm për BE-në; ndaj, kjo e fundit “ i lau duart” me disa sanksione dhe embargo armësh pët të cilat Turqia as që nuk don t’ia dijë.
Gjithsesi, në këtë aventurë të madhe sfiduese politike me shumë të panjohura, Erdogan përballet dhe me shumë rreziqe dhe pasiguri. Duke filluar nga imazhi dhe izolimi i tij ndërkombëtar që përfshin vendet nga Evropa, NATO te Liga Arabe dhe vetë SHBA-ja, sidomos pas kundërshtimeve të fuqishme të demokratëve dhe një pjese republikane ndaj tërheqjes së Trump, edhe pse ai e konsideron atë fitore. Së dyti, kërcënimi për sigurinë e Turqisë për shkak të sulmeve dhe akteve të tjera të mundshme të armatosura nga kurdët e tradhtuar, kur forcat e sigurisë dhe ushtria turke janë “ shkundur” këto tre vitet e fundit pas dështimit të grushtit të shtetit.
Gjithsesi, pengesa më e madhe për Erdoganin pas tërheqjes së SHBA-ve mbetet Rusia, e cila kërkon një Siri të kontrolluar nga Assad. Putin ka shprehur mirëkuptimin për interesat turke të sigurisë në kufi me Sirinë, por ndërkohë kërkon dhe respektimin e sovranitetit territorial sirian. Këtë e dëshmoi edhe takimi historik siç u vlerësua nga të dyja palët midis Putin – Erdogan më 22 Tetor në Soçi të Rusisë. Bisedimet zgjatën 6 orë dhe përfunduan me një deklaratë të përbashkët me dhjetë pika. Ndërmjet të tjerash u ra dakord për patrullimin e përbashkët brenda perimetrit të sigurisë prej 30 km në territorin sirian nga rusët, turqit dhe më vonë sirianët. Më tej, për t’iu dhënë mundësi kurdëve për tërheqje në zonën e sigurisë u vendos zgjatja e periudhës së armëpushimit dhe gjashtë ditë të tjera. Por, arritja më e rëndësishme ishte ndërprerja e ofensivës ushtarake turke brenda Sirisë. Fill pas atij takimi, Erdogan deklaroi se ajo nuk është e nevojshme pasi “ terroristët” kurdë janë larguar tej perimetrit të sigurisë, duke lejuar kështu spostimin e mbi 2 milion refugjatëve sirianë brenda Sirisë.
Kështu, Putin e tregoi vehten si fituesi më i madh “ pokerit” sirian, duke dëshmuar se pa Rusinë nuk mund të bëhet më asgjë as në Lindjen e Mesme, dikur “ dominion” amerikan. Fituesi tjetër i madh është padyshim Presidenti sirian Assad i cili ka të ngjarë që më vonë me lejen ruse të rimarrë nën kontroll të gjithë territorin sirian dhe të “lajë hesapet” me kundërshtarët e tij kurdë, duke mos përjashtuaar incidente me Turqinë. Natyrisht kjo nuk i shkon shumë midesë” së Erdoganit, por tani për tani e kush e di dhe për sa kohë ai do t’i duhet t’i thotë” “ derrit dajë” Ndërsa humbësit më të mëdhenj janë padyshim kurdët sirianë të tradhëtuar nga aleatët e tyre perendimorë, të cilët dhanë kontribut të madh në luftën kundër ISIS. Humbëse jo më e vogël është dhe BE-ja e tërhequr ndjeshëm nga Lindja e Mesme ku ka qenë gjithnjë prezent. Një ogur jo i mirë ky dhe për shefin e ri të politikës së jashtme të BE-së, spanjollin Josep Borrell por jo vetëm./argumentum.al/
*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të Argumentum.al
© Argumentum