Ministri i Jashtëm rus Lavrov i bëri thirrje Gjermanisë dhe BE për bashkëpunim konstruktiv. Gjatë vizitës së saj të parë në Moskë, ministrja e Jashtme gjermane Baerbock theksoi rëndësinë e marrëdhënieve gjermano-ruse.
Pas bisedimeve me kolegun rus Lavrov, ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock theksoi se ekziston mundësia për bashkëpunim konstruktiv për shumë çështje reciproke të diskutueshme. Gjermania ka një interes themelor për marrëdhënie të qëndrueshme.
Ajo shtoi se në shtëpinë evropiane nuk do të ketë siguri, nëse nuk ka rregulla të përbashkëta të cilave mund t’u referohen të gjithë. Baerbocku theksoi se duhet të respektohen rregullat e përbashkëta të rendit evropian të paqes. Ajo tha se Gjermania do t’i mbrojë këto rregulla, edhe nëse ato kanë një kosto të lartë ekonomike. Në konfliktin për Ukrainën, politikania e të Gjelbërve theksoi dëshirën e qeverisë gjermane për dialog.
Annalena Baerbock bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike të krizës me Ukrainën dhe njoftoi vazhdimin e bisedimeve, edhe në formatet tashmë ekzistuese si atë të Minskut dhe formatin e Normandisë.
Në të njëjtën kohë, Baerbocku e dënoi vendosjen e trupave ruse në kufirin me Ukrainën. Ajo tha se Rusia ka stacionuar trupat e ushtrisë në kufirin me Ukrainën “pa asnjë arsye të kuptueshme”. “Si mund të kuptohet kjo ndryshe përveçse si një kërcënim ushtarak?”, tha Baerbocku në konferencën e përbashkët për shtyp në Moskë.
Lavrov: bëhet fjalë për respektimin dhe ruajtjen e interesave të ndërsjella
Pas takimit me ministren e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov tha se bëhej fjalë për respektimin dhe ruajtjen e interesave të ndërsjella. Nga ana e tij, Lavrov nënvizoi “shqetësimin e tij për kursin e NATO-s”. Ne presim një përgjigje të shpejtë ndaj dëshirës së Rusisë për të marrë garanci sigurie, që nënkupton ndër të tjera se NATO-ja heq dorë nga integrimi i Ukrainës, tha ministri i Jashtëm rus. Ai tha gjithashtu se biseda tregoi se ishte e mundur të kapërceheshin mosmarrëveshjet.
Lavrovi kritikon “propagandën anti-ruse”
Para takimit me Baerbock-un, Lavrovi kishte kritikuar faktin se kohët e fundit në Gjermani kishte shumë “propagandë anti-ruse”. Ai do të dëshironte një partneritet më konstruktiv.
Rusia ka mbledhur rreth 100.000 trupa në kufirin me Ukrainën. Perëndimi i frikësohet një ndërhyrjeje ushtarake. Nga ana e saj, Rusia kërkon garanci që NATO-ja të mos zgjerohet më në lindje – dhe mbi të gjitha që të mos e pranojë Ukrainën si anëtare.
Presidenti letonez Levits u bëri thirrje shteteve të BE të vendosin sanksione të reja kundër Rusisë. Mbyllja e gazsjellësit Nord Stream 2 në Detin Baltik mund të rrisë presionin mbi Rusinë dhe të ndihmojë në parandalimin e një pushtimi të Ukrainës, tha Levits për radion gjermane.
Rigjallërim i formatit të Normandisë?
Edhe gjatë takimit të djeshëm në Kiev, Baerbocku dhe ministri i Jashtëm ukrainas Kuleba theksuan se donin të arrinin një rigjallërim të të ashtuquajturit format i Normandisë, të përbërë nga Gjermania, Franca, Rusia dhe Ukraina. Objektivi është zbutja e konfliktit me qeverinë e Moskës përmes kanaleve diplomatike./DW