Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka dënuar konkluzionin e miratuar nga Këshilli i BE-së për çështje të jashtme në lidhje me aktivitetet e shpimit në Mesdheun Lindor.
Këshilli vendosi të suspendojë bisedimet për Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse të Transportit Ajror dhe ka rënë dakord që të mos mbahet Këshilli i Asociimit dhe takimet e mëtejme të dialogut të nivelit të lartë BE-Turqi për momentin.
Duke folur gjatë një konference për media në Moskë, Zakharova tha se sanksionet nuk janë një “mjet diplomatik” dhe nuk mund të jenë bazë në politikat ndërkombëtare.
“Këto (sanksione) çojnë në rezultate shumë të mjerueshme, erozion të ligjit ndërkombëtar dhe erozion të formave të civilizuara të komunikimit dhe ndoshta mund të tingëllojë si pikturë artistike, por gjithashtu çojnë në dehumanizimin e proceseve ndërkombëtare në kuptim që shtetet dhe njerëzit të bëhen nervoz”, tha Zakharova.
Zakharova shtoi se njerëzit e kuptojnë që bisedimet çojnë në zgjidhje të pranueshme për të dyja palët por ata nuk e kuptojnë nëse disa shtete e përdorin fuqinë e tyre, të fituar nga “vitet e kolonializmit” kundër shteteve tjera.
“Andaj, ne kemi një qëndrim jashtëzakonisht negativ ndaj çfarëdo sanksioni që nuk autorizohen nga Këshilli i Sigurimit (i OKB-së). Si masë reciproke, ne duhet të themi se është pjesë e realitetit modern. Mirëpo nuk mund të pranojmë presion dhe politikë të tillë të njëanshme, joligjore dhe agresive që synon të promovojë interesat e njërit”, tha ajo.
Turqia vazhdimisht ka kontestuar shpimet e njëanshme të administratës së Qipros Greke në Mesdheun Lindor, duke pohuar se edhe Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC) ka të drejtë ndaj resurseve na atë zonë.
Që nga pranvera, Ankaraja ka dërguar dy anije të shpimit në Mesdheun Lindor, Fatih dhe së fundmi Yavuz, duke pohuar të drejtën e Turqisë dhe TRNC-së ndaj resurseve të zonës.
Anija e parë sizmike turke, Barbaros Hayrettin Paşa, e blerë nga Norvegjia në vitin 2013, po kryen kërkime në Mesdhe që nga viti 2017.
Athina dhe Qiproja Greke kanë kundërshtuar këtë lëvizje, duke kërcënuar se do të arrestojnë ekuipazhin e anijes dhe u kanë bërë thirrje liderëve të BE-së që t’u bashkangjiten kritikave të tyre.
Në vitin 1974, pas një grusht shteti që synonte aneksimin e Qipros nga Greqia, Ankaraja duheshte të ndërhyjë si një fuqi garantuese. Në vitin 1983 u themelua Republika Turke e Qipros Veriore (TRNC).
Në dekadat që nga ajo kohë janë bërë disa përpjekje për të zgjidhur mosmarrëveshjen e Qipros, por të gjitha përfunduan pa sukses. Përpjekja e fundit, e zhvilluar me pjesëmarrjen e vendeve garantuese, Turqia, Greqia dhe Mbretëria e Bashkuar, përfundoi në vitin 2017 në Zvicër.
Duke iu referuar zhvendosjes së mundshme të bombave nukleare amerikane B61 nga Turqia në Bullgari, Zakharova tha se nuk ka një informatë të tillë.
“Kohë pas kohe shohim spekulime të tilla, por ne nuk kemi ndonjë informatë të konfirmuar. Pothuajse para tre vitesh, kishte raportime rreth zhvendosjes së armëve nga Turqia në Rumani, por më vonë ato u mohuan”, tha ajo.
Zakharova rikujtoi se Rusia e mban pozitën e saj sa i përket vendosjes së armëve nukleare amerikane, se të gjitha bombat duhet të kthehen në SHBA dhe se Washingtoni patjetër të ndalojë së mësuari shtetet jo-nukleare se si të përdorin armët nukleare./AA