Ministria ruse e Mbrojtjes publikoi të martën pamjet të tankeve ruse dhe armëve të tjera të rënda që po ngarkoheshin për t’u kthyer në Rusi nga Bjellorusia fqinje.
Pamjet e pajisjeve që ktheheshin në shtëpi u publikuan një ditë përpara se shumë media perëndimore të pretendonin se Rusia do të pushtonte Ukrainën. Raporte të shumta thanë se forcat e dislokuara në Bjellorusi do të merrnin pjesë në këtë ‘pushtim’. SHBA përmendi të mërkurën si një nga ditët e mundshme të sulmit, të cilin Moska e mohoi se e kishte përgatitur në radhë të parë.
Pajisjet u dërguan në Bjellorusi për të marrë pjesë në një stërvitje masive të përbashkët ushtarake që të dy ushtritë mbajtën këtë muaj, sipas zyrtarve rus.
Në mes të konfliktit me Ukrainën, Rusia ka nisur të tërheqë trupat nga jugu dhe perëndimi i vendit pas manovrave, sipas informacioneve të saj. Zëdhënësi i qeverisë Dmitri Peskov tha se tërheqja ishte procedurë normale pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake. Ai tha gjithashtu se do të ketë manovra të tjera. Trupat e para pritet të kthehen sot në kazermat e tyre të përhershme, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes, Igor Konashenkov. Përveç kësaj, ka filluar ngarkimi në automjete i pajisjeve ushtarake.
Më parë, ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu kishte njoftuar se disa stërvitje ishin afër përfundimit. Nuk dihet ende për sa ushtarë bëhet fjalë. Manovrat e tjera po vazhdojnë, përfshirë Bjellorusinë fqinje.
Konashenkovi theksoi se Rusia po vazhdon “një grup masash në shkallë të gjerë për trajnimin operacional të trupave dhe forcave të armatosura”. Megjithatë, ky veprim u pa si një hap i mundshëm drejt shtensionimit
Presidenti rus, Vladimir Putin, gjatë një konference për media më 15 shkurt, pas takimit në Moskë me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, tha se Rusia ka vendosur që të tërheqë pjesërisht trupat nga disa zona përreth kufirit me Ukrainën. Ai tha se ky vendim krijon hapësirë për diskutime të mëtejme me Perëndimin lidhur me kërkesat e sigurisë së Moskës.
Scholz tha se vendimi për tërheqjen e disa trupave – lajm që ende nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur dhe nuk ka shumë detaje për të – është një “sinjal i mirë” drejt shtensionimit të krizës që ka kërcënuar të përshkallëzohet në konflikt ushtarak.
Opsionet diplomatike janë larg “së shteruari”, tha Scholz pas takimit me Putinin që zgjati mbi tre orë.
Reagimet nga Ukraina
Zyra e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky thuhet se e ka përshkruar njoftimin e bërë nga Ministria ruse e Mbrojtjes të martën, se trupat ruse dhe pajisjet ushtarake po përgatiten të largohen nga rajonet ngjitur me kufirin ukrainas, si “sinjalin e duhur”. Sipas gazetës Liga (Liga) të Ukrainës, përgjigja pozitive erdhi nga një zyrtar i lartë në administratën presidenciale, Mikhail Podolyak.
Ndërkohë, ministri i jashtëm i Ukrainës, Dmitry Kuleba, theksoi gjatë një konference për shtyp se Kievi do të besonte se situata po shkonte drejt de-përshkallëzimit vetëm kur të shihte trupat ruse të largoheshin nga kufiri.
“Na është thënë se16 shkurti do të jetë dita e pushtimit, e ne do ta bëjmë ditë të unitetit”, deklaroi Zelenskiy mbrëmjen e 14 shkurtit.
NATO reagon ndaj tërheqjes së trupave ruse
Me njoftimin e Moskës që trupat e saj kanë filluar të kthehen në bazat e tyre pas stërvitjeve në Bjellorusi, afër kufirit me Ukrainën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ka thënë se sheh shpresë që diplomacia t’i japë fund ngecjes midis Rusisë dhe Perëndimit.
Duke folur në një konferencë shtypi përpara një takimi me ministrat e mbrojtjes nga vendet anëtare të martën, shefi i bllokut ushtarak paraqiti vlerësimin e tij për klimën aktuale në vijën e demarkacionit ruso-ukrainas.
“Deri më tani, ne nuk kemi parë ndonjë de-përshkallëzimin në terren, nuk kemi parë ndonjë shenjë të reduktimit të pranisë ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën,” pohoi ai. “Por ne do të vazhdojmë të monitorojmë dhe të ndjekim nga afër atë që po bën Rusia”.
“Ajo që ne duhet të shohim është një tërheqje e konsiderueshme dhe e qëndrueshme e forcave, trupave dhe pajisjeve të rënda,” vazhdoi ai.
“Perëndimi u shkatërrua pa asnjë të shtënë”
Ministria e Jashtme ruse ka shpallur 15 shkurtin si “ditën kur propaganda perëndimore dështoi”.
Me njoftimin e Rusisë se trupat e saj po tërhiqen pas përfundimit të stërvitjeve pranë kufirit me Ukrainën, Moska ka këmbëngulur se parashikimet se mund të jenë vetëm disa momente larg nga urdhërimi i një pushtimi të plotë janë provuar të rreme.
Në një deklaratë të martën, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Maria Zakharova hodhi poshtë raportet dhe pretendimet e javëve të zyrtarëve amerikanë dhe evropianë se forcat e armatosura të Moskës mund të jenë vetëm disa orë larg nga nisja e një sulmi kundër fqinjit të saj.
“15 shkurt 2022 do të hyjë në histori si dita kur dështoi propaganda e luftës perëndimore”, shkroi ajo. Sipas saj, Perëndimi është “turpëruar dhe shkatërruar pa gjuajtur asnjë të shtënë”.
Komentet e Zakharova vijnë pasi gazeta amerikane e biznesit Bloomberg raportoi të shtunën, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar, se një ofensivë kundër Ukrainës mund të ndodhë që të martën. Agjencia raportoi se një sulm i mundshëm mund të përfshijë një provokim në rajonin e Donbass ose kundër Kievit.
Udhëheqësit perëndimorë kanë shprehur frikë prej muajsh se Rusia mund të planifikojë një pushtim të fqinjit të saj dhe kanë vënë në dukje raportet për një grumbullim trupash në kufirin e përbashkët të dy vendeve, si dhe stërvitjet me Minskun si një pararendës potencial.
Kremlini ka refuzuar vazhdimisht se një ofensivë është në skenë dhe ka kërkuar të marrë marrëveshje sigurie që do të kufizonin aktivitetin e NATO-s në Evropën Lindore, si dhe zgjerimin e bllokut.