Rusia ua ka ndaluar hyrjen mbi 200 qytetarëve amerikanë, përfshirë edhe këshilltarit të lartë politik të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, dhe zëdhënësit të këtij institucioni, Matthew Miller. Këto veprime të Moskës janë në shenjë hakmarrjeje për sanksionet e vendosura nga Uashingtoni ndaj rusëve për mbështetjen e tyre për pushtimin rus të Ukrainës.
Ministria e Jashtme e Rusisë tha përmes një deklarate se 227 amerikanëve u është ndaluar hyrja në Rusi “sepse ata janë të përfshirë në hartimin, zbatimin dhe justifikimin e kursit rusofobik të administratës aktuale të Shteteve të Bashkuara si dhe janë të përfshirë drejtpërdrejtë në veprimet kundër Rusisë”
Lista, që tashmë numëron 2.078 persona, shënjestron përfaqësuesit e Qeverisë amerikane, afaristët, gazetarët dhe akademikët, shkruan rel.
Përveç Millerit, në listë janë përfshirë edhe ish-ambasadori amerikan në Rusi, John Sullivan, ish-sekretari i Thesarit, Lawrence Summers, zëvendëspërfaqësuesja për tregti, Sarah Bianchi dhe drejtori për çështje evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, Alexander Vidman. Vidman, i lindur në Kiev, më herët kishte dëshmuar para Kongresit amerikan lidhur me abuzimin e pushtetit në gjykimin e parë të presidentit të atëhershëm, Donald Trump.
“Përveç se janë shpallur të padëshirueshëm në Federatën Ruse një numër i organizatave humanitare amerikane, që përdoren nga Ambasada amerikane në Moskë për të rekrutuar “agjentë me ndikim”, zgjerimi aktual i ‘listës së ndalimit’ synon, veç tjerash, të konsolidojë ndërgjegjësimin e Uashingtonit për të vërtetën dhe për t’i treguar se çdo përpjekje agresive nuk do të kalojë pa u ndëshkuar”, u tha në deklaratë.
Ndaras, kjo ministri po ashtu akuzoi Austrinë “për hapin e radhës jomiqësor”, pasi Vjena dëboi dy diplomatë nga Ambasada ruse në Austri.
Një ditë më herët, Austria urdhëroi dy diplomatët rusë të largoheshin nga shteti, pasi tha se ata kishte vepruar në kundërshtim me statusin e tyre diplomatik, duke i shpallur “persona të padëshiruar”.
Austria nuk dha detaje për aktivitetin e diplomatëve rusë, ndërkaq Ministria e Jashtme ruse tha se ky vendim ishte i pabazë, duke paralajmëruar Vjenën për pasoja.