Rusia ndaloi të premten tetë zyrtarë nga vendet e Bashkimit Evropian të hynin në vend si kundërpërgjigje ndaj sanksioneve të vendosura ndaj shtetasve rusë nga BE-ja.
Ministria e Jashtme ruse tha se të ndaluarit përfshijnë Vera Jourovën, zv/presidente për vlerat dhe transparencën në Komisionin Evropian, David Sassolin, president i Parlamentit Evropian dhe Jacques Maire, një anëtar i delegacionit francez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
“Bashkimi Evropian vazhdon të ndjekë politikën e vet të masave kufizuese të paligjshme, të njëanshme kundër qytetarëve dhe organizatave ruse,” tha ministria në një deklaratë.
Ajo akuzoi BE-në për minimin “haptas dhe qëllimisht” të pavarësisë së politikës së brendshme dhe të jashtme të Rusisë.
Zoti Sassoli, presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen dhe shefi i Këshillit Evropian Charles Michel thanë në një deklaratë të përbashkët se ata dënuan veprimin “e papranueshëm” të Rusisë në “termat më të fortë të mundshëm” dhe se kjo tregonte se Moska kishte zgjedhur rrugën e konfrontimit me bllokun.
“BE rezervon të drejtën të marrë masat e duhura në përgjigje të vendimit të autoriteteve ruse,” thanë ata.
Sassoli tha në Twitter se asnjë sanksion ose kërcënim nuk do ta ndalte parlamentin ose atë vetë të mbronte të drejtat e njeriut, lirinë dhe demokracinë.
“Kërcënimet nuk do të na e mbyllin gojën. Siç ka shkruajtur Tolstoy, pa të vërtetë, nuk ka madhësht,” shkruante ai.
Rusia ndaloi tre zyrtarë nga shtetet baltike: Ivars Abolins, kryetar i Këshillit Kombëtar të Mediave Elektronike të Letonisë, Maris Baltins, drejtor i Qendrës Shtetërore të Gjuhës në Letoni dhe Ilmar Tomusk, kreu i Inspektoriatit të Gjuhës në Estoni.
Po ashtu u ndalua Jorg Raupach, prokurori publik i Berlinit dhe Asa Scott i Agjencisë suedeze për Kërkime të Mbrojtjes.
Zoti Scott ishte midis zyrtarëve që thanë se kritiku i Kremlinit Alexei Navalny ishte helmuar në Rusi me një agjent nervor të periudhës sovjetike.
Zoti Navalny u shërua nga helmimi në Gjermani dhe u arrestua pas kthimit të tij në Rusi në janar, dhe u dënua në shkurt me 2-1 / 2 vjet burg për një shkelje të një dënimi me kusht të mëparshëm për përvetësim që ai ka thënë se ishte i motivuar politikisht.
BE-ja vendosi sanksione në mars ndaj dy rusëve të akuzuar për persekutimin e anëtarëve të komunitetit LGBT në rajonin jugor rus të Çeçenisë. BE-ja vendosi gjithashtu sanksione në mars ndaj katër zyrtarëve të lartë rusë të afërt me Presidentin Vladimir Putin.