Nga Ben Andoni
Kosova është në një udhëkryq shumë të rrezikshëm me kërkesën e SHBA-së dhe jo vetëm të përgatitjes për krijimin e Asosacionit të Komunave Serbe. Edhe pse garancia e autoriteteve amerikane është e madhe se nuk do ketë përsëritje të një Republika Srpska, shqetësimi gjallon ngado në Kosovë. Më e lidhur me atributet që do ketë kjo strukturë e serbëve në Kosovë por më shumë se të gjitha me mbarëvajtjen e saj, akoma autoritetet e kanë të paqartë sesi do të zgjidhen mosmarrëveshjet në të ardhmen. Organizimi do jetë në frymën e kushtetutës së Kosovës, mbrohen mbrojtësit e saj dhe diplomatët e huaj (kryesisht amerikanë), që janë në front përballë Prishtinës ta pranojë.
Për fat të keq, qeveria e Kosovës është konfuze dhe duket se terrenin po e merr shoqëria civile, ndërsa i gjithë publiku është duke pritur sy e vesh se kur do bëhet dhe se çfarë do të thotë krijimi i Asosacionit. Me këtë rast, do i zvogëlohen problematikat apo çfarë do fitoj Kosova nga ky kalvar i mundimshëm, që i mungon trajta e njohjes ndërkombëtare të shtetit dhe problemi i dytë edhe më fatal: Autoriteti mbi Veriun.
Po ia vlen Asosacioni nëse Serbia nuk e vlerëson në marrëveshjen franko-gjermane Kosovën dhe përballet me të sipas normave të dy vendeve ta pavarura?! Vështirë të thuhet, sepse kjo është një vijë e kuqe që të trand në Beograd. As edhe mendjet më të hapura në politikë e që përbëjnë faktor në Serbi, nuk e pranojnë apo ta thonë qartë se: Kosova është e pavarur. Në një farë mënyre, Asosacioni dhe Plani Franko-Gjerman janë të ndërlidhura. E vetmja gjë tashmë duhet i gjithë mobilizimi institucional për të bërë më të mundurën. Ndoshta një Asosacion, që të mos i bëj karshillëk kushtetutës së Kosovës dhe një lloj zgjidhje për Veriun. “Çdo model që lejon Serbinë të minojë sovranitetin e Kosovës duhet të refuzohet nga të gjithë ata që synojnë paqen e qëndrueshme dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon”, ka shkruar Ministrja e Jashtme Gërvalla në Twitter. A mjafton?
Po Tirana ku gjendet në të gjithë këtë? Duket se ajo e shikon Kosovën të harruar dhe si një pjesë, që nuk ka fare lidhje me të. Të gjithë politikanët po merren me çështjen e agjentit Charles McGonigal, kurse një nga fraksionet e opozitës ose vulëmbajtësit zyrtar të PD-së po kërkojnë në SPAK, një kallëzim për nisje të hetimeve ndaj kryeministrit Edi Rama për ato që ata i cilësojnë si lidhje me ish zyrtarin e lartë të FBI-së. PS-ja nga ana tjetër po mundohet me të gjithë mekanizmat e saj të sfumojë, kurse e gjithë politika ka nisur të shikojë një telenovelë të re. Me shumë gjasa, çështja do të shfryhet shpejt, sepse do humbi në hullitë e gjykimeve të thelluara por edhe e procedurave të shumta në SHBA, kurse Shqipëria do ketë me çfarë të merret me ato që do pasojnë.
Ndërkohë, Kosova që mbas gjithë atyre takimeve në letër me Shqipërinë mëtohet se është më afër, kur ka problematika të tilla dhe që do kërkonte një mbështetje morale, logjistike, infrastrukturore nuk mund të asistohet. E para se vetë kryeministri Kurti është disi konfuz por edhe e dyta sepse lidhja Shqipëri-Kosovë (kjo shikohet në tregti) po bëhet gjithnjë më e largët. Por, ajo që të dhemb më shumë është se kurdo kur Kosova ka probleme, Shqipëria është e mbytur në tollovi dhe akuza të ndërsjella. Tek e fundit, janë problemet e tyre ‘të brendshme’, ka nisur të dëgjohet gjithnjë e më shpesh në Tiranë. (Javanews)