Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi se mbyllja e kopshtit turk në Tiranë është bërë me urdhër të presidentit turk, Recep Tayip Erdogan.
Në një takim me prindër dhe edukatore të kopshtit “Turgut Ozal”, Berisha tha se mbylljen e kopshtit të fëmijëve e ka konsideruar dhe konsideron një nga ngjarjet më të rënda që mund t’i ndodhë një vendi të pavarur e sovran.
Berisha tha se kolegji “Mehmet Akif” ka nxënësit në universitetet më të mira të botës, ekselentë, i ka pedagogë në universitetet më të graduara në SHBA dhe Rama i vë drynin.
“Nuk është rruga të trajtohesh sikur je një provincë e Ankarasë, apo Anadollit dhe të të mbyllin kopshtin. Marrëdhëniet në rangun personal Erdogan-Rama janë jashtëzakonisht problematike, ai punon për pushtetin e Edi Ramës, por shkel të gjitha rregullat, sepse Edi Rama pranon që vendi të trajtohet si një vend vasal i Ankarasë, por kështu nuk ndërtohet partneriteti, miqësia”, tha ai.
Sipas Berishës, Edi Rama me urdhër të padronit të tij, mbylli kopshtin e fëmijëve.
“Ky është akt terrorist ndaj fëmijëve, që e ushtron Edi Rama me urdhër të padronit të tij. Kjo është e vërteta. Është akt terrorist psikologjik ndaj fëmijëve. Ka ndërtuar një xhami dhe kërkon të sundojë një Shqipëri. Jo, more zotëri, atë xhami do t’jua paguajmë një për një. Nuk mund të sundohet Shqipëria se ndërton një xhami”, tha ai.