Liderët e rajonit janë mbledhur këtë të enjte në Tiranë për samitin BE-Ballkani Perëndimor me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky samit do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.
Në kuadër të këtij samiti, pritet tashmë dhe nënshkrimi i një marrëveshje, ku në thelb do të jetë angazhimi i përbashkët i 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe BE për zbatimin e planit të ri të hartuar nga BE për nxitjen e integrimit më të shpejtë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor që aspirojnë integrimin në familjen e madhe Evropian.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, vendet duhet të angazhohen plotësisht që të përfitojnë nga plani i rritjes i BE-së.
Në fjalën e tij në Samitin BE – Ballkani Perëndimor mbi Planin e Rritjes dhe Konvergjencës me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor që po mbahet sot në Tiranë, Rama u shpreh se, “plani i rritjes i BE-së në vetvete është një rezultat vërtetë inkurajues, i një shkëmbimi të sinqertë dhe të hapur pikëpamjesh”.
“Nuk mund të isha më falënderues se kaq ndaj Presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen, Komisionerit tonë Oliver Varhelyi, dhe shefit të DG Near, Gert Koopman për gatishmërinë etyre për të dëgjuar shqetësimet tona, argumentet dhe idetë lidhur me arsyen se pse BE-ja duhet të gjejë rrugë të reja për të na ndihmuar në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit të plotë”, tha Rama.
“Për mua është shumë e qartë se mundësia e re që përfaqëson ky plan, që është jashtë kornizave, është jo vetëm njohje nga ana e BE-së e përpjekjeve tona prej një dekade për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët kundër erërave të egra të së shkuarës, por po kështu edhe na sfidon për të dëshmuar gatishmërinë tonë për fatin e përbashkët evropian”, theksoi Rama.
“Mundësitë mund të merren ose mund të humben. Ne duhet të angazhohemi plotësisht pa asnjë rezervë, pa asnjë hezitim, pa asnjë kufizim apo shtrëngime që të përfitojmë nga kjo mundësi”, u shpreh kreu i qeverisë shqiptare.
Kryeministri Rama deklaroi sot se, Shqipëria do të aplikojë në qershor për t’u bërë pjesë e zonës së përbashkët për pagesat euro.
“Shqipëria është e gatshme për këtë ushtrim mjaft sfidues e do të punojmë pa reshtur me të gjithë të tjerët për të ecur shpejt përpara drejt zonës së përbashkët të pagesave euro, drejt lehtësimit të tregtisë e transportit dhe tregut digjital”.
“Nëse përmbushim të gjitha kriteret për zonën evropiane të përbashkët të pagesave do të ulim me 6 herë tarifat e qytetarëve tanë që gjenden jashtë për të dërguar para në shtëpi, duke qenë se ajo do të ulë 6 herë koston e të gjitha transaksioneve të biznesit me vendet e BE-së”, tha Rama.
“Vetëm duke bërë këtë ne në Ballkanin Perëndimor mund të kursejmë afro gjysmë miliardë euro nga xhepat e njerëzve”, shtoi Rama.
“Ambicia jonë si Shqipëri është të jemi gati në qershor për aplikimin tonë. Nëqoftëse ulim vetëm me 3 orë kohën e pritjes së kamionëve tanë në kufijtë tanë rajonalë, në kufijtë me BE-në, mund të marrim një rritje të përgjithshme prej 25 miliardë eurosh, 3%”, theksoi Rama.
Por, u shpreh Rama, “për të shkuar aty na duhet që të gjithë së bashku të kryejmë një proces mjaft kompleks dhe mund të ndaj këtu se mbështetur në përvojën nga Ballkani i Hapur, ku Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut bënë përpjekje për ta përshpejtuar këtë proces, ky ushtrim nuk është i lehtë”.
“Nëse ia dalim që 500 bashkitë tona t’i përfshijmë në programin e internetit wi-fi për Ballkanin Perëndimor në hapësirat publike, që në fakt është një binjake e re e programit të BE-së për internetin falas në zonat publike, ne mund ta çojmë të gjithë shoqërinë e rajonit në një nivel krejt tjetër sa u takon shërbimeve të shpejta me cilësi të lartë”, u shpreh Rama.
Nga ana tjetër, shtoi kreu i qeverisë, “nëqoftëse integrohemi në rrjetin digjital evropian mund t’u japim NMV-ve tona një nxitje modernizimi me një ndikim mjaft të rëndësishëm mbi kostot dhe përfitimet e tyre.
Nuk mund ta theksoj dot më shumë se kaq nevojën për ta lënë politikën ballkanike jashtë kësaj sfide të përbashkët dhe të përqendrohemi të gjithë tek suksesi i këtij ushtrimi të jashtëzakonshëm, por po kështu me mjaft përfitime”, tha Rama.
Varhelyi: Tregu i Ballkanit Perëndimor në BE edhe përpara integrimit të plotë të 6 vendeve
Plani i ri i Zhvillimit të Bashkimit Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor do të nxisë dyfishimin e zhvillimit ekonomik të këtyre vendeve brenda dhjetë viteve.
Këtë e konfirmoi Oliver Varhelyi, Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, në çelje të samitit të vendeve të Ballkanit në Tiranë dhe Bashkimit Europian, të mbajtur në Tiranë të enjten.
Varhelyi konfirmoi vullnetin e BE-së për të nxitur zhvillimin dhe për të integruar tregun e Ballkanit Perëndimor me atë të Bashkimit Evropian edhe përpara se integrimi i plotë i këtyre gjashtë vendeve të ndodhë.
“Besoj që tashmë Tirana është kthyer në një pikë takimi për të gjithë rajonin dhe për të shtyrë më tej përpjekjet e të gjithë Ballkanit Perëndimor për t’u bërë pjesë e BE. Edhe pse po afrohemi në fund të mandatit tonë, ne dëshirojmë të lëmë diçka serioze pas, diçka që të jetë e prekshme dhe e ndjeshme në aspektin afatshkurtër dhe afatmesëm për procesin e zgjerimit”, tha Varhelyi në çelje të fjalës së tij.
“Procesi i zgjerimit s’ka të bëjë me kapitujt e ndryshëm të legjislacionit apo me mënyra të ndryshme administrative që ne i kemi, por është proces integrimi. Ky proces integrimi do të thotë që ekonomia e Ballkanit Perëndimor, shoqëritë e Ballkanit Perëndimor, të integrohen në BE. Që do të thotë në vetvete, që edhe BE duhet që të ofrojë të gjitha përfitimet që sjell anëtarësimi, përpara se shtetet tuaja të bëhen anëtare të familjes europiane dhe kjo është ideja që sjellim ne me planin e ri të rritjes”, tha Komisioneri i BE për Zgjerim.
Liderët e rajonit janë mbledhur këtë të enjte në Tiranë për samitin BE-Ballkani Perëndimor me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si edhe zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Ky samit do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale.
/Argumentum.al