Dr. Marsela Musabelliu
Më 1 prill 2022, Presidenti kinez Xi Jinping zhvilloi një takim virtual me Presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen. Kanë kaluar pothuajse dy vjet që nga samiti i fundit Kinë-BE, i cili u mbajt në qershor të vitit 2020. Shumë situata kanë ndryshuar gjatë këtyre dy viteve. Koha kërkon që përballë ndryshimeve të mëdha globale, tensioneve gjeopolitike dhe pasojave të pandemisë, Kina dhe Bashkimi Evropian të jenë pararojë në promovimin e paqes, mirëkuptimin dhe zhvillimin, sidomos me një konflikt të ndezur fuqishëm tashmë në pragun e BE-së.
NEVOJA PËR FAKTORË STABILIZUES NË NJË BOTË TURBOLENTE
Pala kineze e nisi takimin duke iu referuar të shkuarës dhe duke nënvizuar koherencën e metodave dhe praktikave të saj në raport me marrëdhëniet ndërkombëtare në përgjithësi dhe kundrejt BE-së në veçanti. Presidenti Xi kujtoi një sugjerim të tetë viteve më pare ku ai vetë ka bërë thirrje për të nxitur një partneritet Kinë-BE për paqe, zhvillim dhe reforma. Vizioni i Kinës mbetet i pandryshuar, u shpreh Xi. Kina kundrejt BE-së shpalos konsistencën dhe vazhdimësinë e politikës së saj kundrejt bllokut evropian dhe shpreson që si dy forca kryesore që janë të mbështesin paqen botërore dhe të kompensojnë pasiguritë në peizazhin ndërkombëtar. Kina dhe BE-ja janë dy tregje të mëdha, dy qytetërime të mëdha, dhe sigurisht dy faktorë kryesorë në çështjet globale, dhe si të tilla duhet të veprojnë. Përgjegjësia është e madhe dhe si e tillë duhet trajtuar. Këto dy fuqi botërore së bashku mund të jenë promotorë të shkëlqyer të thellimit të globalizimit ekonomik përmes bashkëpunimit të hapur.
Gjatë takimit presidenti Michel dhe presidentja von der Leyen, u shprehën se Kina është një forcë e rëndësishme në botë dhe se BE-ja i kushton rëndësi të madhe pozitës dhe rolit ndërkombëtar të Kinës dhe zhvillimit të marrëdhënieve me Kinën. Në situatën aktuale ndërkombëtare, është jetike për BE-në dhe Kinën të rrisin dialogun dhe bashkëpunimin. Pala e BE-së shprehu gjithashtu dëshirën e saj për shkëmbime të sinqerta me Kinën për të mbështetur momentin e mirë të marrëdhënieve BE-Kinë. Me tej, liderët evropianë shprehën gatishmërinë për të vazhduar thellimin e bashkëpunimit me Kinën në fusha si ekonomia, tregtia, investimet, energjia dhe zhvillimi i gjelbër, për të përballuar së bashku sfidat globale. Situata në Ukrainë ishtë një nga temat e paevitueshme e samitit, dhe të dy palët shkëmbyen mendime për situatën, ndanë pikëpamjet dhe propozimet e tyre.
PRESIDENTI XI SHPALOS QËNDRIMIN E KINËS NË KATËR PIKA
Presidenti Xi theksoi se Kina ndjen keqardhje të thellë që situata në Ukrainë ka ardhur këtu ku është sot. Qëndrimi i Kinës për çështjen e Ukrainës është konsistent dhe i qartë. Kina qëndron gjithmonë në anën e paqes dhe e nxjerr përfundimin e saj në mënyrë të pavarur bazuar në meritat e secilës çështje.
Së pari, promovimi i bisedimeve të paqes. Kina mbështet përpjekjet e BE-së drejt një zgjidhjeje politike të çështjes së Ukrainës dhe ka inkurajuar bisedimet e paqes në mënyrën e saj. Bisedimet e paqes janë e vetmja mënyrë e mundshme për të parandaluar një përshkallëzim të tensioneve – tha Xi.
Së dyti, parandalimi i një krize humanitare në një shkallë më të madhe. Kina ka paraqitur një iniciativë prej gjashtë pikash për situatën humanitare në Ukrainë dhe do të qëndrojë në kontakt me BE-në për të parandaluar një krizë më të madhe humanitare.
Së treti, nxitja e paqes së qëndrueshme në Evropë dhe në kontinentin euroaziatik. Shkaku kryesor i krizës së Ukrainës janë tensionet e sigurisë rajonale në Evropë që janë krijuar gjatë viteve. Duhet të akomodohen shqetësimet legjitime të sigurisë të të gjitha palëve përkatëse. Në ditët e sotme, kornizat e sigurisë globale dhe rajonale nuk duhet të ndërtohen më me një “mentalitet të Luftës së Ftohtë”.
Së katërti, parandalimi i përshkallëzimit të konfliktit rajonal. Kina dhe BE duhet të angazhohen për të mbajtur situatën nën kontroll, për të parandaluar përhapjen e krizës dhe, më e rëndësishmja duhet të
SI E SHOHIN PALËT NJËRA TJETRËN NË KONTEKSTIN AKTUAL?
BE-ja ka pritshmëritë e saj për Kinën, kurse Kina i mëshon neutralitetit dhe mospërfshirjes duke theksuar se është për dialogun, diplomacinë, paqen dhe përfundimin e konfliktit. Si mundet Kina dhe BE-ja të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre në më shumë fusha për të ofruar më shumë stabilitet dhe siguri për botën?
Në Bruksel flasin për politika të bazuara në vlera, por vlerat e kujt? – Nëse në ndonjë bashkëpunim, njëra palë vendos t’i kushtojë shumë vëmendje dallimeve të vlerave do të jetë një lojë pa fitues, sepse njerëzit janë të ndryshëm, kulturat janë të ndryshme, kombet janë të ndryshëm, dhe qytetërimet janë të ndryshme. Nëse fillojmë të mos bashkëpunojmë vetëm sepse të tjerët janë ndryshe, pasojat do të ishin katastrofike. Në fakt, e gjithë ideja e një qasjeje të bazuar në vlera përfshin një ndjenjë paragjykimi dhe epërsie. Kjo qasje thjesht pohon se vlerat e dikujt janë më të mira se të tjerat. E gjithë teoria e diplomacisë e bazuar në vlera është diskriminuese dhe gati nënçmuese.
Përgjigjja e Kinës ndaj konfliktit Rusi-Ukrainë ka qenë e ndryshme nga ajo BE-së, si rezultat, spekulimet mbi pozicionin e njërës ose tjetrës palë kanë marrë kryefjalë në çdo ambient politik dhe mediatik. Nga ana tjetër, BE-ja është e zhytur në konflikt dhe sipas disa liderëve evropianë, po përballet me krizën e saj më të keqe që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Në të vërtetë, blloku evropian po e ndjen ndikimin e konfliktit në shumë fusha duke përfshirë ekonominë, sigurinë, energjinë dhe financat. BE-ja është duke humbur shumë nga konflikti dhe ndoshta kjo është arsyeja pse ajo dëshiron paqen dhe shpreson se Kina do të luajë një rol aktiv në promovimin e bisedimeve midis palëve në konflikt.
NJË KURTH NARRATIV NË VAZHDIMËSI I “MENTALITETIT TË LUFTËS SË FTOHTË”
Prof. Liu Zuokui nga Akademia e Shkencave Sociale të Kinës (CASS) është shprehur se Kina nuk do të bjërë në grackën e teorive “demokracisë kundër autoritarizmit”. Bashkëpunimi i ngushtë midis Kinës dhe BE-së mund të jetë një forcë shtytëse për paqen dhe zhvillimin global, si dhe globalizimin, vazhdon Liu. Të dyja palët mund të bashkëpunojnë për të parandaluar shfaqjen e tregjeve dhe sistemeve paralele globale. Por për këtë, të dy ekonomitë duhet të sigurojnë që marrëdhënia e tyre nuk do të merret peng nga fuqia hegjemoniste apo nga konflikti në Ukrainë. Megjithatë të dyja palët duhet të nxjerrin mësime nga konflikti për të pastruar keqkuptimet e tyre ideologjike, të braktisin mentalitetin e Luftës së Ftohtë dhe të kontribuojnë së bashku në rimëkëmbjen ekonomike globale. Kjo ndarje e mëtejshme nuk i shërben askujt dhe krijon vetëm përçarje të panevojshme.
KINA DUHET TË….(?!)
Fatkeqësisht, në deklaratat zyrtare të BE-së pas takimit u vu re edhe një herë një qasje disi anakronike e unionit kundrejt Kinës, gati-gati me reminishenca të shekujve kolonialë. U duk sikur u dha një listë me detyra shtëpie, që duken sikur janë leksione dhe udhëzime për të ndjekur. Por, në ditët që jetojmë bota është shumë më e madhe dhe me më shumë diversitet se aq. BE-ja përbën afro 10% të popullsisë se botës, Kina përbën afro 20% të popullsisë së botës; me fuqi ekonomike BE dhe Kina janë afro njësoj (≈17 trilion $). Në nivele të tilla nuk duhet të ekzistojë qasja e “duhet të” …
Së fundmi, kriza e Ukrainës, zinxhirët e paqëndrueshëm të furnizimit dhe konfrontimet në rritje ideologjike dhe strategjike kanë shkaktuar dëmtim të mjedisit të jashtëm të Kinës dhe në disa mënyra ndikon edhe në zhvillimin e saj. Kina nuk e do dhe nuk e ka dashur asnjëherë këtë. Kina është bërë “arkëtari” indirekt i konflikteve gjeopolitike, një rol që duan t’ia mveshin megjithëse nuk ka marrë as anë, e as pjesë në asnjë konflikt.
/Argumentum.al