Nga mosmarrëveshjet tregtare ShBA-Kinë te protestat në Hong Kong, samiti i udhëheqësve të G7-s pritet të karakterizohet nga tensioni. Presidenti, Emmanuel Macron, mikpritësi i takimit të këtij viti, do të duhet të shfrytëzojë të gjithë arsenalin diplomatik për vendosjen e ekuilibrave, që nga darka e hapjes deri te konferenca.
Samiti i G7-s që fillon të shtunën në Biarritz të Francës Jugore pritet të jetë i tensionuar për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë udhëheqësit për çështjet e mëdha globale.
Presidenti, Emmanuel Macron, mikpritësi i takimit të sivjetshëm të shtatë fuqive më të mëdha demokratike dhe industriale, do të duhet të shfrytëzojë të gjithë zotësinë diplomatike për vendosjen e ekuilibrave që nga darka e hapjes të shtunën deri te konferenca përfundimtare për shtyp të hënën pasdite.
Nga Irani te tregtia duke kaluar te Brexit, linjat e ndarjes shtohen mes një Donald Trumpi të paparashikueshëm, tashmë në fushatë për t’u rizgjedhur, një kryeministër i ri britanik si Boris Johnson, provokues i qëllimshëm dhe pesë udhëheqësit e tjerë.
Lufta tregtare kino-amerikane ka shtuar ankthin për rënien ekonomike globale, ndaj dhe fuqitë europiane po përpiqen të qetësojnë tensionet midis Uashingtonit dhe Pekinit, ndërsa presidenti Trump ka treguar pak entuziazëm ndaj presionit të Francës për një taksë universale mbi gjigantët dixhitalë.
Kriza në Kashmir dhe protestat në Hong Kong mund të diskutohen gjithashtu gjatë bisedimeve në Biarritz të Francës, ku rreth 13,000 oficerë policie janë dislokuar për të parandaluar çdo demonstratë të dhunshme kundër G7-s.
Samiti do të ndikohet edhe nga presioni i brendshëm që kanë drejtuesit: kryeministri Johnson ka një shumicë të vogël parlamentare, kryeministri i Italisë dha dorëheqjen më 20 gusht, Kanadaja po shkon drejt zgjedhjeve dhe ndikimi i kancelares gjermane Angela Merkel në skenën botërore po zvogëlohet në prag largimit të saj.
Nuk ka shenja se presidenti Trump do të ndjekë një kurs pajtues gjatë samitit.
oranews