Në samitin e grupit të vendeve më të industrializuara G7 në Borgo Egnazia kryetarët e shteteve dhe të qeverive të i kanë garantuar Ukrainës ndihma të reja për mbrojtjen ndaj Rusisë. Pothuajse gati një vit u konsultuan shtatë vendet perëndimore të këtij formacioni, se si të përdoren si ndihmë për financimin e Ukrainës të ardhurat nga jashtë të pasurive shtetërore ruse që janë ngrirë në valën e sanksioneve.
Tani është arritur një marrevshje politike, deklaroi përfaqësuesi i Këshillit të BE-së, Charles Michel, dhe përfaqësue stë tjerë të shteteve pjesëmarrëse. Detajet teknike duhet të sqarohen më tej.
50 miliardë dollarë si kredi duhet të marrë Ukraina deri në fund të vitit, për të financuar blerjen e armëve dhe buxhetin e shtetit. Krerët e shteteve dhe të qeverive të SHBA-së, Kanadasë, Japonisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë si dhe përfaqësuesit e vendeve të BE-së këtë kredi duan ta financojnë me të ardhurat vjetore nga pasuritë ruse të ngrira në perëndim.
Të ardhurat nga rreth 230 miliardë euro pasuri, që ndodhet tek një administrues pasurishë në Belgjikë, gjenerojnë çdo vit pesë miliardë euro. Këto para duhet të përdoren si garanci, për të financuar interesat si dhe shlyerjen e kredive.
Ndihma afatgjatë për Kievin
SHBA, si edhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyj, insistuan për paratë e konfiskuara ruse. Europianët nuk dëshironin ta pranonin këtë, sepse i druhen humbjes së besimit në tregjet europiane të depozitave. Po ashtu deri në fund ishte e diskutueshme, se kush duhet të paguajë, nëse pasuritë ruse nuk gjenerojnë fitim ashtu sikurse parashikohet.
Presidenti Zelenskyj, i cili të enjten (13.06.2024) mbërriti në samitin e G7 në Pulja nga Arabia Saudite, deklaroi, se G7 merr vendime të rëndësishme. Këtë javë ka një sërë konferencash ndërkombëtare, që pritet të sjellin armë dhe ndihma financiare për rindërtimin e Ukrainës.
Zelenskyj nënshkroi në kuadër të samitit të G7 dy marrëveshje bilaterale sigurie një me Japoninë dhe një me SHBA-në. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, me këtë marrëveshje do ta përjetësojë dhe ta bëjë më të planifikueshme ndihmën për Ukrainën. Nga diplomatët e SHBA-së thuhet, se marrëveshja është një lloj sigurimi paraprak, në rast se në vjeshtë në Shtëpinë e Bardhë kthehet sërish Donald Trump, i cili është kritik kundrejt Ukrainës.
Meloni do të bëjë Afrikën si pikërëndesë
Krahas vatrave të krizës Ukraina dhe Lindja e Mesme, samiti i G7 merret edhe me çështjen e një bashkëpunimi më të mirë me Afrikën. Kryesuesja e G7, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e ka vendosur Afrikën sërish në krye të rendit të ditës.
Meloni tha, se nevojiten rrjete të besueshme furnizimi për lëndët e para, energjinë dhe të tjera produkte nga kontinenti fqinj. Po ashtu ato duhet të jenë partnerë të barabartë. Ndaj Meloni ka ftuar disa kryetarë shtetesh dhe qeverishë nga vendet afrikane në Borgo Egnazia për të diskutuar bashkarisht.
G7 premton më shumë investime në degët e së ardhmes në Afrikë. Italia ka paraqitur plan të ri, që e ka emërtuar me emrin e themeluesit të koncernit italian të naftës Eni, Enrico Mattei.
“Plani Mattei” synon projekte për gjenerimin e energjisë në Afrikë. Italia do të operojë si urë shpërndarëse mes Afrikës dhe Europës. Janë planifikaur një sërë projektesh për sigurinë e ushqimit dhe nxitjen e arsimit në Afrikë.
Kjo nismë fillimisht është pajisur më një financim prej tetë miliardë eurosh, gjë që kritikët e konsiderojnë si pak. Giorgia Meloni dëshiron tani në samitin e G7 të gjejë partnerë të rinj, për t’i dhënë më shumë peshë “Planit Mattei”.
Nisma të ngjashme ka pasur vitet e kaluara me Francën dhe Gjermaninë. Paralelisht ekziston edhe plani i BE-së “Global gateëay”, i cili është në konkurrencë me Kinën dhe Rusinë për të tërhequr partnerë afrikanë përmes ofertave me investime.
Meloni synon gjithashtu të kufizojë migracionin nga Afrika. Kjo temë do të jetë në rendin e ditës gjatë ditës së dytë të samitit të G7 në Itali.
Kryeministrja italiane e ka përcaktuar me simbolikë vendin e organizimit të këtij samiti në rajonin e Puljas, sepse “taka e çizmes” së Italisë gjeografikisht për shekuj ka shërbyer si një urë mes veriut dhe jugut. Migracioni nga pjesë të ndryshme hapësirës së Mesdheut është vazhdimisht temë dite./DW