Nga Genc Mlloja
Samiti i 9-të Kinë-Vende të Evropës Qendrore e Lindore (EQL) që u zhvillua më 9 shkurt 2021 u bë një dëshmi tjetër se ky mekanizëm është në zhvillim e sipër me vitalitet të plotë duke kërkuar forma të reja bashkëpunimi të ndërsjellta për ti dhënë atij dimensione më të gjëra dhe efikase në përputhje me interesat e zhvillimit të secilit vend anëtar në kushtet dhe situatat aktuale në Europë dhe mbarë botën. Ashtu sikurse ishte parashikuar edhe nga shumë vëzhgues, të cilët ndjekin me vëmendje ecurinë e iniciativës 17+1, aspektet e bashkëpunimit në luftën kundër virusit, rimëkëmbja ekonomike dhe ndryshimet klimatike ishin ndër pikat kryesore të rendit të ditës të Samitit. Por duhet thënë që në krye se si në shumë ngjarje të tilla të rëndësishme ndërkombëtare të këtyre kohëve të fundit në Pekin apo vende të tjera ku ka qenë pjesëmarrës kryesor Presidenti i Kinës Xi Jinping tema më sensitive ka qenë pandemia Covid-19, pasojat e saj të rënda ekonomike, politike, dhe sociale dhe sfidat për të ardhmen në të gjithë vendet e botës përfshi edhe ata të Europës Lindore dhe Qendrore në shkallë të ndryshme. Realiteti është i tillë saqë këta vende, shumë prej të cilave anëtarë të Bashkimit Europian, vazhdojnë të përballen me atë që tashmë njihet si ‘territorializim kombëtar’ i krizës shëndetësore duke e konsideruar virusin si ‘agjent’ të jashtëm destabilizues.
Në këtë kuptim ky takim i nivelit të lartë mori vlera të veçanta në aspektin e rikonfirmimit të frymës së solidaritetit të Kinës me vendet anëtare të këtij mekanizmi për vazhdim të mbështetjes së ndërsjelltë në përputhje me përgjegjësitë individuale të secilit prej tyre.
Mekanizmi 17+1 në zhvillim
“Ndodhemi në një epokë plotë sfida. Pandemia e ndërthurur me ndryshimet e mëdha gjatë 100 viteve, do të ushtrojë një ndikim të thellë. Për përballimin e sfidave të pashembullta, duhet solidariteti dhe bashkërendimi i të gjitha vendeve”, deklaroi Presidenti Xi në fjalimin kryesor drejtuar nëpërmjet lidhjes me video përfaqësuesve të vendeve anëtare të mekanizmit 17 + 1, cili ka hyrë në vitin e fundit të dekadës së parë që nga krijimi i tij më 2012.
Takimi i parashikuar i vitit të kaluar u anullua për shkak të kushteve tejet të rënda të pandemisë kur Kina ishte ndër vendet e para që u përball më këtë sfidë titanike që në fillim të 2020. Pa mëdyshje mund të thuhet se pandemia ka krijuar kërcënimin më të madh për njerëzimin, por sikurse deklaroi Xi në fjalimin e tij gjatë nëntë vjetëve bashkëpunimi midis Kinës dhe vendeve të EQl-së mekanizmi 17+1 u ka rezistuar testeve të kohës dhe ndryshimeve të ndërlikuara të gjendjes ndërkombëtare dhe ka formuar parimet e bashkëpunimit në përputhje me karakteristikat e veta dhe të pranueshme nga të gjitha palët.
Në kontekstin e përgjithshëm të zhvillimeve të vrullshme ndërkombëtare të cilat kanë patur influencën e tyre si në Kinë ashtu edhe në vendet e EQL- së kjo iniciativë nuk ka mbetur statike në parametrat e ravijzuar kur u krijua nëntë vite më parë. Përkundrazi kohët dhe sfidat e reja kanë kërkuar dhe si rezultat janë gjetur rrugë dhe forma novatore bashkëpunimi duke hapur një faqe të re më cilësore të zhvillimit të tij. Duke iu përgjigjur kësaj dinamike si iniciator i këtij formati bashkëpunimi Presidenti Xi u parashtroi vendeve anëtare katër parime për rrugëtimin e ardhshëm të përbashkët në Samitin e 9 shkurtit ku sipas njoftimeve të shtypit shqiptar të botuara më 10 shkurt ndër 17 liderët e Europës Qendrore e Lindore mori pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Si pikë të parë Xi parashtroi parimin e bashkëpunimit të bazuar në konsultime. “Kina dhe vendet e EQL-së e respektojnë njëri-tjetrin dhe zhvillojnë bashkëpunim pa kushte politike, duke këmbëngulur në barazinë mes vendeve të mëdha e të vogla dhe në konsultime, ndërtim dhe ndarje të përbashkët të përfitimeve. Ne besojmë se vlera e “17+1” është më e madhe se ”18” dhe kemi ndërtuar një strukturë bashkëpunimi trepërmasor që përfshin mbi 20 fusha dhe udhëhiqet nga mekanizimi i mbledhjes së udhëheqësve”, tha kreu i shtetit kinez. Por ai vuri në dukje së çdo vend mund të hartojë plane dhe të përcaktojë projekte duke u mbështetur në realitetin e vet të brendshëm, dhe nxitet të gjejë pozicionin e tij dhe të shfrytëzojë epërsitë e veta gjatë bashkëpunimit.
Në këtë konteskt është rasti të sjellim në vëmendje projekte të tilla madhore të realizuara në kuadër të këtij bashkëpunimi si ai i portit të Pireut në Greqi, uzina metalurgjike “Smederevo”në Serbi, ura “Pelješki” në Kroaci, ndërtimi i hekurudhës Hungari-Serbi, dhe ka shumë shembuj të tjerë që dëshmojnë se mundësitë janë të mëdha kur vendet specifike kanë paraqitur portofole projektesh me interes kombëtar por edhe të përbashkët.
Lidhur me këtë aspekt Xi vuri në dukje parimin e bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta duke u fokusuar në bashkëpunimin pragmatik. Sipas tij rezultatet e bashkëpunimit kanë favorizuar vende dhe popuj të ndryshëm.
Faktet flasin më mirë se kushdo. Kësisoj deri në fund të vitit 2020, Kina ka investuar 3.14 miliardë dollarë në sektorë si energjetika, mineralet, infrastruktura, logjistika, automjetet etj. në 17 vendet e EQL-së kurse këto të fundit kanë investuar 1.72 miliardë dollarë në Kinë gjatë kësaj periudhe. Ndërkohë në krahasim me nëntë vite më parë, vëllimi tregtar midis Kinës dhe vendeve të EQL-së është rritur gati 85 përqind. Vlera e përgjithshme e kontratave për projektet e reja të nënshkruara prej Kinës me këta vendet vjet është rritur me 34.6 përqind krahasuar me vitin 2019, duke arritur në 5.41 miliardë dollarë. Kurse numri i turistëve është katërfishuar.
Po ashtu impresionues është fakti se rrjetet hekurudhore Kinë-Evropë kanë mbuluar shumicën e vendeve të EQL-së me mbi 30.000 udhëtime me trena mallrash. Në mënyrë të veçantë ky aspekt ka qenë një kontribut jetik për dërgimin e pajisjeve mjekësore anti- Covid në shumë vende të rajonit, përfshi edhe Shqipërinë.
Çelësi kryesor i asaj që konsiderohet tashmë ‘historia kineze e suksesit’ ka qënë hapja në vitin 1978 dhe pa dyshim shumë elementë të tjerë të strategjisë ekonomike, çka e kanë kthyer Kinën sot në fuqinë e dytë më të madhe ekonomike botërore me perspektiva të ecjes përpara duke patur parasysh që edhe në kushtet e krizës së pandemisë është ndër vendet e vetme me rritjen më të madhe ekonomike në botë.
“Hapja dhe gjithëpërfshirja janë themelet e bashkëpunimit Kinë-Vende të EQL-së. Kemi mësuar nga njëri-tjetri, duke plotësuar njeri-tjetrin, kemi ngulur këmbë në konsultimet dhe bashkëpunimin për zgjidhjen e mospajtimeve dhe mosmarrëveshjeve. Kemi ndjekur rregullat ndërkombëtare të pranuara gjerësisht si dhe kemi respektuar parimin e tregut dhe standardet e BE-së. Përshëndesim edhe pjesëmarrjen e vendeve të tjera e organizatave ndërkombëtare, që të realizohen përfitime të përbashkëta dhe shumëpalëshe”, tha Presidenti Xi ne fjalimin e tij. Ndërkohë ai foli për lidhjen e bashkëpunimit ndër-rajonal 17 + 1 me nismën “Një brez, një rrugë” dhe sipas tij është realizuar përfshirja e të gjitha vendeve të Evropës Qendrore e Lindore në marrëveshjet e kësaj nisme.
Për të çuar më përpara këtë platformë bashkëpunimi kreu i shtetit kinez u paraqiti vendeve anëtare një propozim katërpikash të cilët janë të detajuar por unë po i përmend si fusha. “Së pari, të përballojmë drejtpërdrejt sfidat e pandemisë dhe të forcojmë besimin e bashkëpunimit për kapërcimin e vështirësive”, deklaroi Xi dhe në këtë pikë meqenëse ka një sensibilitet të lartë ai deklaroi se Kina është e gatshme të vijojë ofrimin e vaksinave brenda mundësive të veta ndaj vendeve përkatëse, në mënyrë që t’i bëjë vaksinat në produkt publik global dhe për nxitjen e shpërndarjes e përdorimit të barabartë të vaksinave në mbarë botën. Një propozim të tillë Presidenti Xi e bëri edhe në Forumin e Davosit më 25 janar të këtij viti ku përsëriti zotimin për bërjen e vaksinës në produkt publik global që në fakt ai e kishte parashtuar më heret në një fjalim drejtuar Asamblesë së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në maj 2020. Në atë rast ai shpalli se zhvillimi i vaksinës Covid-19 do të bëhet një produkt publik global sapo të jetë gati çka do të jetë kontributi i Kinës për të siguruar furnizimin me të të vendeve në zhvillim.
Konkretisht Kina po zhvillon bashkëpunim për vaksinat me vendet e EQL-së, dhe Serbia për shembull ka marrë mbi 1 milion doza të vaksinave kineze, Hungaria nga ana tjetër po zhvillon bashkëpunim në fushën e vaksinave me firmat kineze, kurse ka njoftime se vende të tjera si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi po zhvillojnë bisedime për të siguruar vaksina kineze.
“Nëse vendet e tjera të Evropës Qendrore e Lindore kanë kërkesë për bashkëpunim lidhur me vaksinat, pala kineze është e gatshme ta shqyrtojë aktivisht atë”, deklaroi Presidenti Xi. Në rastin e Shqipërisë ka një debat lidhur më këtë çështje kur vendi deri më 10 shkurt 2021 ka marrë vetëm rreth 2000 doza dhe vetë kryeministri Edi Rama deklaroi më 9 shkurt se kompania që ka kontraktuar Shqipëria ka vështirësi në furnizime. Sipas disa specialistë të njohur mjekësorë, marrja e vaksinave kineze do të ishte një alternativë për të kapërcyer gjendjen kritike të krijuar në vend ku vetëm më 9 shkurt u regjistruan brenda një dite më shumë se 1200 raste të reja infektimi dhe 16 fatalitete.
Fusha e bashkëpunimit në infrastrukturë ishte propozimi tjetër i Presidentit Xi dhe në këtë kuadër do të përsoset më tej struktura e ndërlidhshmërisë. “Do të ndërtojmë krah për krah nismën “Një brez, një rrugë”, duke përshpejtuar ndërtimin e projekteve si hekurudha Hungari-Serbi etj. Do të vazhdojmë të përkrahim zhvillimin e trenave të rregullt të mallrave midis Kinës dhe Evropës, duke shfrytëzuar potencialin e bashkëpunimit,” tha Xi i cili shtoi se do të shkohet deri në ndërtimin e qendrës së informacionit doganor Kinë-Vende të EQL-së dhe të pikave koordinuese të zhdoganimit në vendet përgjatë linjave të transportit të shpejtë tokësor e detar Kinë-Evropë. Kina është e gatshme të zhvillojë bashkëpunimin pilot me doganat e vendeve të Evropës Qendrore e Lindore për “zhdoganimin e zgjuar”.
Nxitja e bashkëpunimit të tregtisë dhe të investimeve reciproke për të rregulluar baraspeshimin tregtar dhe zhvillimin e vazhdueshëm radhitej si propozimi i tretë, e sipas Xi, në pesë vjetët e ardhshëm, pala kineze planifikon të importojë mallra me vlerë mbi 170 miliardë dollarë nga vendet e Evropës Qendrore e Lindore, duke u përpjekur të realizojë dyfishimin e importit të mallrave bujqësore nga këto vende dhe të rritë me 50 përqind vëllimin e tregtisë bujqësore ndërmjet të dy palëve. Po kështu propozohet shtimi i përpjekjeve për shpeshtimin e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit në fushat si kulturë, arsim, turizëm, sport, media e botime dhe midis grupeve studimore, të rinjve dhe subjekteve nënkombëtare.
“Pala kineze është e gatshme të thellojë bashkëpunimin me vendet e EQL-së, duke shfrytëzuar rastin e organizimit të Lojërave Olimpike Dimërore 2022 dhe atyre paralimpike. Kina dhe vendet e EQL-së do të zhvillojnë këtë vit një raund të ri të Dialogut të Politikës së Arsimit dhe mbledhjen e Lidhjes së Institucioneve të Arsimit të Lartë. Përkrahim krijimin e një universiteti në Hungari nga Universiteti Fudan. Do të forcojmë edhe zhvillimin e përbashkët të produkteve karakteristike turistike si dhe përgatitjet e përbashkëta të talenteve në këtë fushë”, ai tha.
Propozimi i katërt ka të bëjë me “konsensusin e gjelbër” dhe nxitjen në mënyrë të vendosur të bashkëpunimit ndërkombëtar në përballimin e ndryshimeve klimatike, “që të zbatojmë së bashku Marrëveshjen e Parisit dhe të kontribuojmë në suksesin e sesionit të 26-të të Konferencës së Palëve të Konventës Kornizë për Ndryshimin e Klimës të OKB-së dhe të mbledhjes së 15-të të palëve të Konventës për Biodiversitetin, që do të zhvillohen këtë vit”.
Duhet vënë në dukje se ky Samit u zhvillua në sfondin e disa zhvillimeve të rëndësishme të Kinës, veç sa u përket marrëdhënieve me BE që u pasuruan me përfundimin në kohë të bisedimeve mbi Marrëveshjen Kinë-BE mbi Investimet, nënshkrimin e Marrëveshjes Kinë-BE mbi Treguesit Gjeografikë, si dhe nxitjen e partneritetit e bashkëpunimit të gjelbër dhe dixhital duke ngulur këmbë në mbrojtjen e multilateralizmit dhe përballuar bashkërisht sfidat globale. Ky aspekt është një impuls pozitiv se pjesa dërmuese e vendeve të EQL-së janë anëtare të Unionit ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor janë në faza të ndryshme të integrimit më këtë grupim.
Sigurisht në sfond të Samitit ishin edhe pritshmëritë nga kursi i administratës së re të SHBA nën drejtimin e presidentit Joe Biden, dhe nuk kanë munguar hamendësimet për daljen e kësaj fuqie botërore nga izolacionizmi dhe një qasje ndryshe ndaj multilateralizmit larg frymës me tipare të ‘Luftës së Ftohtë’ që karakterizoi politikën e jashtme të Uashingtonit gjatë administratës së ish- presidentit Donald Trump.
Por çka tërheq vëmendjen në planin e brendshëm të Kinës është fakti se tashmë ajo ka nisur zbatimin e Planifikimit të 14-të Pesëvjeçar për zhvillimin ekonomik e shoqëror, duke nisur marshimin e ri drejt vendit të modernizuar socialist, çka përbën një arritje historike për popullin kinez. Efektet e saj nuk ka se si t’mos influencojnë në zhvillimet globale ndërkombëtare. Sigurisht i dukshëm është edhe interesimi i vetë vendeve partnere të mekanizmit 17+1 lidhur me këtë e çdo zhvillim në Kinë.
“Unë jam shumë i interesuar për fjalimin e Presidentit Xi, dua të shikoj pikëpamjet e tij mbi te ardhmen globale dhe bashkëpunimin tonë, të të gjithëve ne me Kinën, dhe të shikojmë cilat janë planet e Kinës”, deklaroi Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç në një intervistë me Grupin Mediatik Kinez (China Media Group) para Samitit. Ndërkohë Ministri i Ekonomisë i Sllovenisë Zdravko Počivalšek në fjalën e tij në Samit shprehu vullnetin e vendit të tij për të punuar sëbashku me Kinën dhe 16 vendet e tjera të EQL-së pjesë e iniciativës 17+1 për kapërcimin e pasoja të pandemisë. Kurse kryeministri i Hungarisë Viktor Orban tha në Samit se ai priste furnizimin e parë të vaksinave kineze Covid-19 të arrijnë javën e ardhshme dhe vlerësoi komunitetin shkencor kinez për zhvillimin e vaksinës Sinopharm. Ai falënderoi edhe ekspertët mjekësorë hungarezë që kishin vizituar qendrat prodhuese në Kinë. “Kam marrë njoftime shumë të sigurta nga delegacioni ynë në bazë të të cilave rregullatori ynë kombëtar ka lëshuar lejen për përdorimin emergjent të (vaksinës Sinopharm)”, deklaroi Orban. Hungaria është vendi i parë I BE-së që miraton vaksinën Sinopharm dhe ka blerë sasi të mjaftueshme dozash për të vaksinuar 2.5 milionë njerëz.
Ndërkohë Kryeministri çek Andrej Babis tha se gjatë një vizite në Hungari të premten e kaluar ishte konsultuar më autoritetet vendase mbi përvojën e tyre me vaksinat kineze dhe ruse e mbi bazën e saj vendi i tij mund të shqyrtojë përdorimin e vaksinave të parregjistruar nga BE për të shpejtuar vaksinimin e popullsisë. “Vaksinat nuk janë një cështje politike, por një problem sigurie”, tha Babis i cituar nga agjencia AP duke shtuar se origjina e vaksinës nuk duhet të influencojë mbi vendimet për ta përdorur atë.
Grup pune shqiptaro-kinez për investime në sfond të Samitit
Si koinçidencë në kohë Ministrja e Financave dhe Ekonomisë e Shqipërisë, Anila Denaj nënshkroi së bashku me Ministrin e Tregtisë së Republikës Popullore të Kinës, Wang Wentao, Memorandumin e Mirëkuptimit “Për Ngritjen e një Grupi të Përbashkët Pune për Bashkëpunim Investimi” në kuadër të nismës së përbashkët “Një Brez, Një Rrugë”, sipas një njoftimi të botuar në faqen e internetit të Ministrisë në Tiranë të mërkurën.
Ky memorandum synon promovimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare, si dhe rritjen e investimeve dhe bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke përmirësuar mekanizmin e bashkëpunimit për investime nën kuadrin e Komisionit të Përbashkët për Bashkëpunim Ekonomik ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës Popullore të Kinës, vinte në dukje njoftimi. “Kjo nismë u vlerësua edhe në samitin e 9-të të Liderëve të ‘Nismës për bashkëpunim Kinë-Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore 17+1” në formatin virtual,” thekson njoftimi.
Për më tepër gazeta Si njoftonte e cituar nga e përditshmja Tema të mërkurën se Shqipëria ka nënshkruar kohët e fundit një marrëveshje me Kinën për livrimin e eksporteve bujqësore. Edhe pse nga zyra e shtypit e kryeministrisë apo Ministrisë së Bujqësisë së Shqipërisë nuk ka ende një njoftim zyrtar, gazeta Si ka mësuar se kjo marrëveshje e nënshkruar me Drejtorinë e Doganave Kineze u mundëson prodhuesve shqiptarë të eksportojnë në Kinë produkte si kosi, qumështi, djathi apo mjalti, duke i hapur kështu dyert këtyre produkteve shqiptare në tregun e dytë më të madh në botë.
Një vështrim i shpejtë i asaj që u propozua në kuadrin e Samitit Kinë-EQL është sikurse mund të themi në mënyrë figurative parathënia se kapitujt e tjerë të bashkëpunimit të ardhshëm do të plotësohen me propozime të projekteve konkrete prej vendeve të ndryshme anëtare. Dhe kalendari i pritshëm ndër të tjera parashikon një sërë aktivitetesh të larmishme që do të kulmojnë më Samitin e radhës me pjesëmarrje fizike në vitin 2022 që shënon edhe 10-vjetorin e krijimit të kësaj iniciative.
Përkundrejt disa hamendësime kryesisht në qarqe perëndimore se ‘shkëlqimi’ i iniciativës 17+1 është venitur Samiti i fundit edhe pse virtual ishte rast për të treguar jo vetëm fleksibilitetin dhe përshtatjen e Kinës si dhe të partnerëve të EQL-së përballë kushteve të reja globale dhe sfidave aktuale shumë prej të cilave të përkeqësuara nga pandemia kovidiane, por edhe rritjen e interesit të ndërsjellt për ta ridimensionuar formatin e partneritetit duke e pasuruar me elementë të rinj bashkëpunimi./CRI