Kryeministri Edi Rama e cilëson vendimtar samitin e NATO-s që do të mbahet në kryeqytetin e Lituanisë, Vilnius, më 11 dhe 12 korrik.
Në një postim në twitter, Rama thekson se në këtë samit, do të rikonfirmojë përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s, sigurinë e aleatëve në krahun lindor, luftën e drejtë të popullit ukrainas dhe vetë nevojën për stabilitet dhe fokus në Ballkanin Perëndimor.
Rama deklaron se Shqipëria është e gatshme të angazhojë trupa shtesë për të forcuar praninë përpara të NATO-s.
Kryeministri shprehet se në dekadën e fundit, Shqipëria ka rritur shpenzimet e mbrojtjes nga 1.35% në 1.76% të PBB-së sonë.
Megjithatë, në momente si kjo, nevojitet më shumë. Prandaj, kam ngarkuar Ministrinë e Mbrojtjes që të arrijë objektivin prej 2% deri në vitin 2024. Edhe pse nuk jemi ndër anëtarët e pasur të NATO-s, ne besojmë se objektivi prej 2% është dyshemeja dhe jo tavani i angazhimit tonë”, deklaron Rama.
Kryeministri nënvizon se “në Vilnius, Shqipëria do të paraqesë vullnetin e saj për t’u angazhuar më tej. Ne gjithashtu do të njoftojmë se, nëse është e nevojshme, Shqipëria është e gatshme të angazhojë trupa shtesë për të forcuar praninë përpara të NATO-s”.
“Së bashku jemi më të fortë dhe vetëm së bashku mund të mbizotërojmë në këtë moment shumë përcaktues për atë që besojmë; për hir të brezave që do të vijnë”, shprehet Rama.