Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, ka zhvilluar sot një takim me kreun e Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku lidhur me masat e sigurisë për mbarëvajtjen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor, që do të zhvillohet në Tiranë më 6 dhjetor.
Në një komunikim me mediet, Çuçi tha se kjo është ngjarja diplomatike më e madhe që ndodh në Tiranë.
“Ju garantoj që çdo gjë do të shkojë më së miri. Jemi plotësisht të përgatitur tamam si një vend evropian”, deklaroi Çuçi.
Lidhur me protestën e paralajmëruar nga grupime politike të opozitës, ministri i Brendshëm tha se ajo do të lejohet jashtë perimetrit të sigurisë ku do të zhvillohet samiti.
“Ne asnjëherë s’kemi qenë kundër protestave, gjithmonë e kemi garantuar të drejtën kushtetuese për të protestuar. Kësaj radhe thjesht ka një zonë të kuqe ku do të zhvillohet samiti dhe s’mund të protestohet. Jashtë kësaj zone ne do të marrim gjithë masat që edhe protesta të zhvillohet”, deklaroi ministri i Brendshëm.
Ndërsa po për samitin, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka dalë ditën e sotme në një konferencë në lidhje me atë që pritet të ndodhë më 6 dhjetor, ditë kur mbahet samiti BE-Ballkan Perëndimor dhe protesta e thirrur nga Sali Berisha.
“Zhvillimi i Samitit të Bashkimit Europian, në Tiranë, tregon më së miri se Shqipëria është vend i sigurt dhe demokratik. Nisur nga rëndësia insituticionale dhe nga impakti publik që ka ky event, Policia e Shtetit është e angazhuar me maksimumin e kapaciteteve të saj njerëzore dhe logjistike, për mbarëvajtjen e tij.
Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në rrugëkalimet e delegacioneve dhe në vendin ku do zhvillohet Samiti, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, duke bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit, me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE-së, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkëmbimin në kohë të informacioneve.
Nisur dhe nga përvoja e aktiviteteve shumë të rëndësishme të zhvilluara më parë, Policia e Shtetit ka fituar përvojën e duhur dhe besojmë se edhe në këtë rast, Policia e Shtetit do të tregojë përkushtim dhe profesionalizëm, duke i bërë një shërbim të çmuar imazhit të vendit.