Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov, tha se vendi i tij “patjetër” do t’u përgjigjet sanksioneve të reja mbi helmimin e pretenduar të figurës opozitare Alexey Navalny, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Lavrov tha se SHBA dhe Bashkimi Evropian (BE) përdorin sanksione gjithnjë e më shpesh.
“Kur nuk kanë asgjë për të treguar për të vërtetuar pretendimet e tyre në lidhje me helmimin e Navalny-t, kur të gjithë ata që e trajtuan fshehin faktet që do të ndihmonin të kuptojmë se çfarë i ndodhi atij, në vend që të bashkëpunojnë me sinqeritet dhe të zbulojnë faktet, ata fillojnë të na dënojnë. Por kjo nuk i jep meritë askujt që merr vendime të tilla dhe ne patjetër do të përgjigjemi”, tha ai.
I pyetur në lidhje me idenë e BE-së për të kërkuar certifikatat COVID-19, Lavrov tha se kjo bie ndesh me parimin vullnetar të vaksinimit.
44-vjeçari Navalny, një kritik i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin, u sëmur më 20 gusht në një fluturim për në Moskë. Pas një zbarkimi emergjent në qytetin siberian Omsk, ai kaloi dy ditë në një spital dhe më pas u dërgua në Berlin për mjekim.
Pas kryerjes së testeve në disa laboratorë, zyrtarët gjermanë njoftuan se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor Novichok, i cili sipas qeverisë britanike u përdor edhe në sulmin e vitit 2018 ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij në qytetin britanik Salisbury.
Autoritetet ruse mohojnë çdo përfshirje, duke thënë se armët kimike nuk janë zhvilluar ose prodhuar në vend që nga shkatërrimi i raundit të fundit kimik në vitin 2017, siç është verifikuar dhe certifikuar nga Organizata për Ndalimin e Armëve Kimike.
Navalny u arrestua në muajin janar në kryeqytetin rus pas kthimit të tij nga Gjermania dhe u dënua me 2,5 vjet burg për shkak të shkeljes së kushteve të lirimit me kusht.