Kryeministri Edi Rama ndodhet sot paradite në Sarajevë, ku u prit në takim nga presidenti i Republikës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Denis Bećirović.
Më herët kryeministri Rama u prit në takim nga kryetarja e Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Borjana Krišto.
Dje, kryeministri Rama vizitoi Shkupin dhe Prishtinën.
Në Shkup, Rama u prit në takim nga kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, me të cilin dha edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Ndërsa dje pasdite në Prishtinë, ai u prit nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, teksa kryeministri Albin Kurti e refuzoi ftesën për takim.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Shqipëria po përgatitet për të hapur ambasadën në Sarajevë
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Borjana Krišto në Sarajevë, Rama u shpreh se, “ne dëshirojmë që t’i forcojmë marrëdhëniet me Bosnjë-Hercegovinën dhe po ashtu informova kryeministren se jemi duke përgatitur hapjen e ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Sarajevë”.
“Në Bosnjë-Hercegovinë jeton një komunitet shqiptar dhe mua më vjen shumë mirë të them që komuniteti boshnjak në Shqipëri i ka të garantuara të drejtat e veta gjuhësore, kulturore, fetare që janë të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë në ligjin e minoriteteve të Republikës së Shqipërisë”, theksoi Rama.
Turi i takimeve të Kryeministrit do të vijojë me Malin e Zi ku do të pritet në takim nga kryeministri Dritan Abazoviç dhe presidenti Jakov Milatoviç.
Kryeministri do të përmbyllë turin ballkanik me vizitën në Serbi, ku do të takohet me presidentin Aleksandër Vuçiç.
Disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama tha nga Ulqini se, “Ballkani i Hapur” e ka kryer misionin për të cilin lindi, për të shtyrë përpara Procesin e Berlinit dhe se tashmë liderët e Ballkanit duhet të fokusohen në këtë nismë.
Më 16 tetor të këtij viti, Tirana do të presë samitin e radhës të Procesit të Berlinit.