Përfaqësuesi special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin tha se për Gjermaninë pa mëdyshje janë të qarta gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas dhe se me këtë propozim francez ato janë ruajtur.
Zëvendës-kryeministri për Çështje Evropiane i Maqedonisë së Veriut, Bojan Mariçiq dhe përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor, Sarrazin, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vend, zhvilluan konferencë të përbashkët për media.
Sarrazin, në fjalën e tij në konferencën për media, duke theksuar se kompromisi i cili tani është në tavolinë është me të vërtetë kompromis tha se janë marrë parasysh kërkesat e kësaj marrëveshjeje pa zvarritje të mëtejshme dhe pa mundësi për bllokada.
“Mund të kuptoj që ka edhe kritika për këtë propozim. E kuptoj se ka shqetësim se do të vihet në pikëpyetje identiteti dhe gjuha e dikujt, por mund të them se gjuha maqedonase, identiteti maqedonas për Gjermaninë janë padyshim të qarta dhe me këtë propozim ruhen”, tha Sarrazin.
Ai shtoi se e gjithë qeveria federale dhe ai personalisht avokon që perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor të jetojë në mënyrë aktive dhe se në ditët në vijim, Maqedonia e Veriut mund të japë kontribut të rëndësishëm në ringjalljen e gjithë kësaj perspektive dhe Gjermania më pas do të jetë në anën e Maqedonisë së Veriut.
Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq tha se janë një hap përpara fillimit të shumëdëshiruar të negociatave me Bashkimin Evropian (BE). Ai tha se është koha që të valorizohet puna e deritanishme dhe të vuloset gjuha maqedonase, identiteti maqedonas dhe e ardhmja evropiane dhe e begattë.
Në pyetjen e gazetarëve, nëse mund ndokush të garantojë se Bullgaria nuk do t’i keqpërdorë çështjet bilaterale, Sarrazin tha se nuk e di se si do të jetë epilogu i zgjedhjeve në Bullgari, por se Gjermania dhe BE-ja do të bëjnë çmos që të garantojnë që rruga e Maqedonisë së Veriut në BE të jetë e hapur në procedurën që vijon, por pa procedurë, kjo rrugë nuk do të hapet.
Më 30 qershor deri te Qeveria e Maqedonisë së Veriut, nga Presidenca franceze arriti propozimi i modifikuar për zgjidhjen e kontestit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që duhet të sjellë deri te heqja e vetos dy vjeçare nga ana e Bullgarisë për integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.