Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka bërë të ditur furnizimin e tankeve të tipit Leopard 2 në Ukrainë në një takim të kabinetit qeveritar, sipas të dhënave të zëdhënësit të tij.
Gjermania do të furnizojë me tanke Leopard Ukrainën. Të mërkurën (25.01.) kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka bërë të ditur furnizimin e tankeve të tipit Leopard 2 në Ukrainë në një takim të kabinetit qeveritar, sipas të dhënave të zëdhënësit të tij. Në një “hap të parë” do të dërgohen 14 tanke Leopard nga rezervat e Bundeswehrit.
Qëllimi është që bashkë me partnerët e tjerë “shpejt të grumbullohen dy batalione tankesh me tanket e tipit Leopard 2 për Ukrainën”. Së bashku do të dërgoheshin 90 tanke. Scholz ka thënë se, se ky vendim është “rezultat i këshillimeve intensive që janë zhvilluar me partnerët më të ngushtë europianë dhe ndërkombëtarë të Gjermanisë”. Sipas kancelarit gjerman, “ky vendim ndjek vijën e njohur politike gjermane për të mbështetur me të gjitha fuqitë Ukrainën”, thuhet në njoftimin e zëdhënësit të kancelarit gjerman. Për Scholz ka pasur rëndësi që të merrte pjesë në këtë proces edhe partneri më i rëndësishëm i NATO-s, SHBA.
Të martën ishte revista “Der Spiegel” që shkruante, pa cituar burime, se dërgesa gjermane do të jetë të paktën një kompani e tankeve Leopard 2A6. Kurse koncerni gjerman i armatimit Rheinmetall bëri të ditur se mund të dorëzojë 139 tanke Leopard në Ukrainë, deri në fillim të vitit 2024. Qeveria federale do të japë gjithashtu leje për të eksportuar tanke të tillë që janë në zotërim të shteteve të tjera si Polonia. Aleatët e tjerë – ndër të tjera nga Skandinavia – gjithashtu duan t’i sigurojnë Kievit tanke luftarake të tipit Leopard 2. Një zëdhënës i qeverisë kishte konfirmuar më herët marrjen e një kërkese për ta bërë këtë nga Polonia. Kontratat e eksportit parashikojnë që Gjermania duhet së pari të pajtohet për një eksport të tillë drejt vendeve të treta.
SHBA konsideron dërgimin e tankeve kryesore të betejës Abrams
Në të njëjtën kohë, burime të qeverisë amerikane kanë treguar se Shtetet e Bashkuara mund të dërgojnë përfundimisht tanket luftarake Abrams në Ukrainë. Më parë kancelari gjerman Olaf Scholz ishte shpehur, se ai dëshironte absolutisht një qasje të koordinuar ngushtë transatlantike për dërgimin e një kategorie të re armësh, siç janë tanket e betejës.
Presion nga brenda Gjermanisë u rrit mjaft
Të martën kreu i grupit parlamentar të partisë socialdemokrate gjermane SPD, Rolf Mützenich, kërkoi një vendim nga Këshilli Federal i Sigurisë për kërkesën polake për dërgimin e Leopardëve në Ukrainë. Duke qenë se bëhet fjalë për çështje sigurie, më i përshtatshmi është ky organ dhe jo komisioni i koalicionit, deklaroi ai para një mbledhjeje të grupit parlamentar në Berlin, ku ishte ftuar edhe ministri i ri i Mbrojtjes së Gjermanisë, Boris Pistorius.
Ndërkohë, kanë dalë në dritë detajet e kërkesës së Varshavës drejtuar qeverisë gjermane. Ajo prek 14 modele të tipit 2A4. Ky është një version më i vjetër i tankut të betejës Leopard, i prodhuar nga viti 1985 deri në vitin 1992. 2A4 u prodhua në sasi të mëdha dhe iu dorëzua nga Gjermania aleatëve të saj gjatë periudhës së çarmatimit pas Luftës së Ftohtë. Bundeswehr-i nuk e ka më këtë version.
Polonia kishte deklaruar vazhdimisht se donte të mbështeste Kievin me tanket e saj të betejës. Duke qenë se Leopardi është i prodhimit gjerman, është i nevojshëm aprovimi i qeverisë gjermane. Megjithatë, Polonia kohët e fundit kishte sinjalizuar se do të dërgonte tanket, nëse kërkohej, edhe pa lejen gjermane të eksportit.
CDU/CSU: “Ne mbështesim furnizimin”
CDU dhe CSU në opozitë i patën kërkuar gjithashtu qeverisë federale të marrë një vendim shpejt. Kreu i grupit parlamentar të CSU-së Alexander Dobrindt tha: “Ne si CDU/CSU do të ishim të gatshëm të mbështesim një vendim për dorëzimin e tankeve”.
Paralajmërim i AfD
Kurse partia në opozitë, AfD, nga ana tjetër, e paralajmëroi të martën qeverinë federale ndaj transferimit të tankeve luftarake nga Polonia në Ukrainë. Bashkëdrejtuesi i partisë Tino Chrupalla tha se qeveria gjermane nuk duhet të përfshijë më tej Gjermaninë në luftën në Ukrainë.
Politikania e Majtë, Sara Wagenknecht tha gjithashtu për radion gjermane Deutschlandradio se interesi ekzistencial i Gjermanisë është që të mos përfshihet në këtë luftë. Për fat të mirë, qeveria federale, sipas Wagenknecht-it, e merr seriozisht këtë. Megjithatë, ajo mendon se Gjermania duhet të jetë shumë më e kujdesshme sesa tani. Udhëheqja ruse ka paralajmëruar tashmë kundër përfshirjes gjermane. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov tha në Moskë se kjo në mënyrë të pashmangshme do të linte gjurmë në marrëdhëniet midis dy vendeve. Ai nuk dha detaje./DW