Bashkimi Evropian mban sot një konferencë donatorësh për Shqipërinë.
Takimi në Bruksel mbahet për të dhuruar fonde për rindërtimin e Shqipërisë, pas tërmetit të 26 nëntorit.
Tërmeti me fuqi prej 6.4 shkallësh të Rihterit la 51 njerëz të vdekur dhe qindra të plagosur.
Sipas vlerësimit të autoriteteve shqiptare, tërmeti shkaktoi dëme në vlerë prej 985 milionë eurosh, ndërsa ndikoi edhe në ngadalësimin e rritjes ekonomike. Si pasojë e katastrofës u prekën më shumë se 47.000 vetë drejtpërdrejt nga tërmeti, thuhet në raportin përfundimtar të qeverisë shqiptare të paraqitur para pak ditësh, ndërkohë që 17.000 vetë u detyruan të zhvendosen për shkak të humbjes së shtëpive. Në përgjithësi si pasojë e katastrofës u prekën në tërësi 202.291 vetë, nënvizon raporti. Zonat më të prekura janë Shijaku, Durrësi, Kruja, Tirana, Kamza, Kavaja, Kurbini dhe Lezha.
Ky raport përfundimtar për dëmet e tërmetit do të shërbejë si bazë orientuese për Konferencën e Donatorëve të hënën dhe përpjekjet për rindërtimin dhe rehabilitimin e pasojave të tërmetit. Raporti e llogarit shifrën e përgjithshme të dëmeve të tërmetit me afër 1 miliardë euro. Se sa fonde do të mblidhen në Bruksel në ndihmë të Shqipërisë, kjo nuk dihet ende, por për qeverinë shqiptare shpresëdhënës duhet të jetë fakti, që konferenca e donatorëve bëhet nën drejtimin e vetë presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Prezentë do të jenë edhe kreu i Këshillit të BE, Charles Michel dhe komisioneri i zgjerimit, Olivér Várhelyi, asistentja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Mirjana Spoljaric, kurse nga Shqipëria në konferencë do të marrë pjesë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, së bashku me ministrin e rindërtimit, Arben Ahmetaj e koordinatoren kombëtare për vlerësimin e dëmeve të tërmetit, Milva Ekonomi.
Qeveria shqiptare shkon me pritshmëri modeste në Bruksel. Kryeministri i Shqipërisë, i cili ishte pjesëmarrës në Konferencën e Sigurisë në Mynih i shfrytëzoi ditët e konferencës për të tërhequr sa më shumë donatorë për Shqipërinë. Ai u shpreh megjithatë i përmbajtur për mediat. “Nuk bëhet fjalë për të arritur që të përmbushim të gjitha nevojat, por sidoqoftë të mbetemi në një nivel, që sado modest, të mund të ketë një peshë në këtë proces”, thuhet në Facebookun zyrtar të kryeministrit.
Në bisedë me Deutsche Wellen ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj shprehet mirënjohës për solidaritetin europian të treguar këto muaj. Solidariteti është shumë i madh, megjithatë shifra në fund do ta materializojë këtë solidaritet, thotë ai. Ministri Ahmetaj pret që në “kombinim me grante dhe kredi të arrihet të mblidhet një ndihmë rreth 450 milionë euro” për Shqipërinë. “Për shkak të turit që ka bërë kryeministri në disa vende, për shkak të ndjeshmërisë në vendet europiane presim një shifër përafësisht të tillë.” Megjithatë ai thekson, se nevojat janë shumë më të mëdha. “Jam i shqetësuar se si do t’i japim impuls ekonomisë këto vite e si do të mënjanohen dëmet në infrastrukturë.”