Autoritetet federale në Bosnja dhe Hercegovinë kanë shpallur gjendje emergjente për shkak të vërshimeve katastrofale të cilat, deri me tani, kanë shkaktuar së paku 20 vdekje dhe dëme të mëdha materiale.
Autoritetet federale në Sarajevë kanë shpallur gjendje emergjente në tërë territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës pasi që shirat masiv nxitën vërshime dhe rrëshqitje të dheut në pjesë të ndryshme të vendit.
Sipas zyrtarëve, deri me tani, është konfirmuar se 20 persona kanë humbur jetën por, autoritetet shtojnë se druajnë që ky nuk do të jetë numri përfundimtar i viktimave pasi që së paku edhe 25 persona të tjerë janë të pagjetur ndërsa ende nuk ka informata të plota për të gjithë territorin e vendit.
Sipas raporteve, gjendja më e keqe është në komunën e Jabllanicës, ku u raportuan 18 prej 20 vdekjeve të konfirmuara, si dhe atë të Kiseljakut – të dyja përgjatë rrjedhës së lumit Neretva.
Autoritetet i kanë këshilluar të gjithë qytetarët që jetojnë në afërsinë e këtij lumi të largohen nga shtëpitë e tyre pasi që ekziston rrezik i madh që Neretva do të vërshojë edhe pjesë tjera të Bosnjës dhe Hercegovinës.
Përveç Neretvës, edhe lumenjtë e tjerë në BeH kanë filluar të vërshojnë përderisa autoritetet u detyruan të mbyllin një numër të madh të rrugëve magjistrale dhe lokale.
Qeveria federale në Sarajevë, ka kërkuar ndihmë nga vendet fqinje por nuk dihet se sa do të mund të ndihmoje cili prej tyre pasi që vërshimet kanë filluar të hapën edhe në vendet tjera të rajonit.
Sllovenia, Mali i Zi dhe Kroacia raportuan se lumenjtë dhe liqejtë në vendet e tyre gjithashtu kanë filluar të dalin nga shtrati ndërsa zyrtarët malazias thanë edhe se, së paku dy fshatra që gjinden në afërsi të kufirit me Bosnjën janë, momentalisht, tërësisht të izoluara për shkak të vërshimeve.
Meteorologët kanë paralajmëruar se rreziku mund të zgjas edhe disa ditë pasi që pritet që nivelet e lumenjve të Bosnjës do të vazhdojnë të rritën edhe pasi që ndalojnë reshjet.