Kuvendi pritet të miratojë sot projektligjin për “Trajtimin e veçantë të studentëve që ndjekin programin e integruar të studimit të ciklit të dytë “mjekësi e përgjithshme” në institucionet publike të arsimit të lartë”, ndërsa studentët e mjekësisë po protestojnë jashtë selisë së Parlamentit, duke e cilësuar atë si shkelje e të drejtave themelore të tyre, si ajo e të drejtës për të zgjedhur se ku duan të ushtrojnë profesionin e tyre.
Përmes këtij projekligji, qeveria vendos detyrimin për studentët e mjekësisë të punojnë të paktën 2-5 vite pas diplomimit në Shqipëri, ose në të kundërt të paguajnë një tarifë që përkon me koston për arsimimin e tyre.
Studentët kanë potestuar disa ditë me radhë kundër këtij projejtligji, pasi sipas tyre, ekzistenca e një kontrate të tillë do i kufizonte ata për të parë mundësitë për të ardhmen e karrierës së tyre, siç janë specializimet jashtë vendit dhe zgjedhjet e tjera që iu ofrohen.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka deklaruar se përmes këtij ligji synohet nxitja e kandidatëve apo studentëve të mjekësisë që të kontribuojnë në sistemin shëndetësor të Republikës së Shqipërisë, si dhe sigurimi i burimeve njerëzore për kryerjen e shërbimeve të shëndetit publik, në institucionet shëndetësore në Republikën e Shqipërisë.
Ndërsa opozita ka bashkuar zërin me studentët, duke kërkuar që ligji të konsultohet me vet studentët, për të gjetur zgjidhjet më të mira.
Për t’iu përgjigjur nevojave të sistemit dhe për të kundërshtuar efektin e largimit të mjekëve jashtë vendit, ka nisur njëkohësisht edhe rritja graduale e kuotave të çelura çdo vit për programin e studimit “Mjekësi e përgjithshme” në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës, duke arritur në 500 brenda vitit 2024.
Kostoja mesatare e studimeve për të gjitha fakultetet, sipas përllogaritjeve të përcjella nga Universiteti i Mjekësisë Tiranë, sipas programeve të studimit, është për nivelin bachelor, 381 643 lekë/vit; master i shkencave, 552 280 lekë/vit; master profesional, 562 132 lekë/vit.