Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë në mbledhjen e sotme u përqendrua në ndikimin që do të ketë në ekonominë shqiptare sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës.
Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko tha gjatë fjalës së tij se sanksionet e vëna ndaj Rusisë dhe rritja e volatilitetit (paqëndrueshmërisë) dhe e pasigurisë në tregjet ndërkombëtare kanë gjeneruar një realitet ekonomik të ri dhe sfidues.
“Tensioni gjeopolitik do të japë një goditje të dyfishtë – direkte nga kahu i ofertës dhe indirekte nga kahu i kërkesës – mbi ekonominë shqiptare. Megjithatë, bazuar në analizat dhe projeksionet aktuale, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 e në vazhdim. Ky gjykim mbështetet në gjerësinë dhe fortësinë e burimeve të rritjes, në supozimin e mospërshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit, si dhe atë të vijimit të një miksi stimulues politikash monetare e fiskale. Nga ana tjetër, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se inflacioni do të qëndrojë mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë gjatë pjesës më të madhe të dy viteve në vijim”, nënvizoi Sejko.
Në këto rrethana, tha ai, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të përshtatë nivelin e stimulit monetar në ekonomi. Kjo përshtatje, vijoi Sejko, synon të krijojë kushte e nevojshme monetare për respektimin e objektivit tonë të inflacionit, për ruajtjen e stabilitetit financiar, si dhe për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të ekonomisë dhe të punësimit në Shqipëri.
“Ekonomia botërore po përballet dhe do të vijojë të përballet me çmime të larta të ushqimeve, të lëndëve të para dhe të produkteve bazë. Këto goditje do të transmetohen edhe në Shqipëri. Inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi rritje në tremujorin e parë. Sipas të dhënave të INSTAT-it, ky inflacion regjistroi nivelet 3.7 % dhe 3.9 %, respektivisht në muajt janar dhe shkurt. Ndonëse të dhënat e plota zyrtare mungojnë, informacioni i disponuar tregon një rritje të mëtejshme të çmimeve në muajin mars”, deklaroi Guvernatori i BSH-së.
Ecuria e inflacionit në Shqipëri, theksoi Sejko, është ndikuar nga rritja e çmimeve të artikujve ushqimorë, të naftës, dhe të kostove të prodhimit e të transportit.
Sejkoi pohoi se “në terma makroekonomikë, trendi rritës i inflacionit pasqyron rritjen e shpejtë dhe të qëndrueshme të kërkesës, rritjen e pagave dhe të punësimit, si dhe rritjen e shpejtë të çmimeve në tregjet ndërkombëtare gjatë dy tremujorëve të fundit. Këto të fundit kanë qenë të larta gjatë gjysmës së dytë të vitit të shkuar dhe janë vënë nën presion të shtuar nga tensioni gjeopolitik që shoqëron konfliktin në Ukrainë”.
Ai nënvizoi se ecuria e mëtejshme e çmimeve do të përcaktohet nga intensiteti dhe kohëzgjatja e këtij konflikti, nga ndikimi që ai do të ketë mbi çmimet dhe tregtinë ndërkombëtare, si dhe nga qëndrueshmëria e rritjes ekonomike në vend.
“Të dhënat që vijnë nga tregjet e huaja sinjalizojnë se çmimet në tregjet ndërkombëtare do të vijojnë të mbeten të larta gjatë viteve 2022 dhe 2023. Këto çmime të larta do të gërryejnë fuqinë blerëse të familjeve dhe do të shoqërohen me ngadalësim të ritmit të rritjes në rang botëror. Për rrjedhojë, projeksionet globale të inflacionit për dy vitet në vijim janë riparë për lart, ndërsa projeksionet e rritjes ekonomike janë riparë për poshtë. Po ashtu, pjesa më e madhe e bankave qendrore kanë përshpejtuar planet e tyre të normalizimit të qëndrimit të politikës monetare”, pohoi Guvernatori.
Përkundrejt kësaj situate, nënvizoi ai, ekonomia shqiptare ka shfaqur shenja të qarta rimëkëmbjeje.
Sipas Sejkos, aktiviteti ekonomik ka tejkaluar nivelin e regjistruar përpara tërmetit e pandemisë në tremujorin e parë të vitit të shkuar.
“Momenti pozitiv i rritjes është mbartur dhe në dy muajt e parë të vitit aktual. Rritja ekonomike ka pasur një bazë të gjerë. Ajo pasqyron zgjerimin e thuajse të gjithë sektorëve të ekonomisë dhe përbërësve të kërkesës agregate. Në terma makroekonomikë, ajo është ushqyer nga përmirësimi i besimit, nga rritja e kërkesës së huaj, nga ambienti i favorshëm monetar dhe financiar, si dhe nga stimuli fiskal i dy viteve të fundit”, tha Sejko.