Guvernatori i Bankës së Shqipëris, Gent Sejko foli sot për rikuperim të aktivitetit ekonomik në vend dhe përmirësim të treguesve të tregut të punës.
Sejko në konferencën e përmuajshme për mediet tha se ka një rritje të shpejtë të inflacionit gjatë dy muajve të fundit dhe se do të ketë nivele në rritje të inflacionit edhe gjatë gjysmës së parë të vitit të ardhshëm.
Kreu i BSH-së theksoi se rritja e çmimeve të naftës, të energjisë dhe të ushqimeve në tregun botëror, ka filluar të pasqyrohet në mënyrë direkte dhe indirekte në çmimet e artikujve të konsumit në vend.
“Analiza e informacionit të disponuar tregon vijimin e rikuperimit të aktivitetit ekonomik në vend, përmirësimin e treguesve të tregut të punës, por dhe një rritje të shpejtë të inflacionit gjatë dy muajve të fundit. Rritja e çmimeve të naftës, të energjisë dhe të ushqimeve në tregun botëror, ka filluar të pasqyrohet në mënyrë direkte dhe indirekte në çmimet e artikujve të konsumit në vend. Këto goditje janë krijuar nga një zhbalancim i përkohshëm i kërkesës dhe ofertës. Në këto rrethana, efekti i tyre do të jetë i pranishëm dhe gjatë gjysmës së parë të vitit në vazhdim, por më tej ai do të vijë drejt reduktimit”, deklaroi Sejko.
Sipas Sejkos, në skenarin bazë, konvergimi i ekonomisë në ekuilibër dhe reduktimi i efektit të goditjeve të ofertës do të mundësojnë kthimin e inflacionit në objektiv, gjatë gjysmës së dytë të vitit 2022.
“Inflacioni në vend shënoi një rritje të shpejtë, duke kapur vlerën 3.1% në muajin nëntor. Trendi rritës i inflacionit gjatë vitit 2021 është diktuar nga rritja e kërkesës, e punësimit dhe e pagave. Megjithatë, rritja e inflacionit gjatë tremujorit të katërt pasqyron kryesisht efektin e rritjes së ndjeshme të çmimeve të ushqimeve, të naftës dhe të energjisë në tregjet botërore. Kjo goditje pritet ta mbajë inflacionin mbi objektivin tonë gjatë muajve në vijim. Më tej, ne presim riekuilibrimin e raportit kërkesë-ofertë në tregjet botërore, zgjidhjen e problemeve logjistike dhe stabilizimin e çmimit të energjisë. Kjo ecuri do të lehtësojë presionet inflacioniste dhe do të reduktojë efektin e çmimeve të huaja në inflacionin në vend”, u shpreh Guvernatori.
Guvernatori Sejko informoi se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%, si dhe të lerë të pandryshuar normat e interesit të depozitave dhe të kredive njëditore, respektivisht në nivelin 0.1% dhe 0.9%. /ata