Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha sot se kriza që ka krijuar pandemia COVID-19 në treguesit ekonomikë do të shënojë kulmin e saj në tremujorin e dytë të vitit, por nëse efektet zgjasin, ai ka sinjalizuar aplikimin e politikës monetare jokonvencionale.
Kjo politikë synon kanalizimin e flukseve të mëdha afatshkurtra monetare në ekonomi. Masat jokonvencionale janë të lidhura me lehtësime sasiore dhe synojnë një furnizim më të madh të ekonomisë me likuiditete.
Sejko tha se, informacioni i disponueshëm tregon se COVID-19 do të ketë një ndikim të fortë në të gjithë treguesit ekonomikë dhe financiarë të vendit.
Në skenarin pozitiv, atë të një reduktimi gradual të masave të distancimit social, aktiviteti ekonomik në vend pritet të shënojë pikun e ngadalësimit në tremujorin e dytë, të vijojë të mbetet negativ gjatë dy tremujorëve në vijim, dhe t’i kthehet rritjes në vitin 2021.
Ky skenar parashikon një normë inflacioni relativisht të qëndrueshme gjatë vitit 2020 dhe një rritje graduale të saj drejt objektivit në dy vitet pasuese. Në këtë skenar, pandemia do të lërë gjurmë të dukshme, por kalimtare, në ekonominë dhe financat e vendit. Mbi të gjitha, ajo nuk do të cenojë ekuilibrat ekonomikë e financiarë dhe trendet afatmesme dhe afatgjata të zhvillimit.
Analiza e situatës ekonomike dhe financiare të vendit, diskutimi i skenarëve të zhvillimeve të mundshme në të ardhmen, si dhe identifikimi i strategjisë së reagimit të politikës monetare, u dominuan nga efektet aktuale dhe të pritura të pandemisë COVID-19 në Shqipëri.
Nga ana tjetër, një zgjatje potenciale e pandemisë përtej tremujorit të dytë nënkupton dhe një ndikim proporcionalisht më të lartë negativ në treguesit ekonomikë dhe financiarë të vendit.
Këshilli Mbikëqyrës gjykon se objektivi primar i politikave publike, si dhe i reagimit të sektorit privat, duhet të jetë marrja e masave për përballimin e emergjencës dhe krijimi i premisave për rikuperimin sa më të shpejtë të rritjes ekonomike në të ardhmen. Kjo do të kërkojë, së pari, ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar të vendit dhe, së dyti, kufizimin e dëmeve mbi kapacitetet prodhuese të vendit.
Në këtë kontekst, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se politika fiskale ka një rol primar në përballimin e situatës. Alokimi i fondeve të nevojshme për përballimin e emergjencës shëndetësore, ndihma sociale për familjet e prekura dhe në nevojë, si dhe masat fiskale për përmirësimin e gjendjes së likuiditetit të bizneseve, janë masa të nevojshme për adresimin e situatës. Rritja e borxhit publik është një kosto e pranueshme për ruajtjen e ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit.
Po ashtu, Këshilli Mbikëqyrës vëren se biznesi privat duhet të jetë fleksibël në adoptimin e modeleve të reja të biznesit, i kujdesshëm në administrimin e situatës së likuiditetit, si dhe largpamës në një ndarje të drejtë të kostove, në interes të ruajtjes së zinxhirëve të prodhimit e shërbimit.
Nga ana e saj, Banka e Shqipërisë ka marrë një paketë të plotë masash për adresimin e situatës.
Lehtësimi i qëndrimit të politikës monetare nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet uljes në 0.5% të normës bazë të interesit dhe nëpërmjet furnizimit të pakufizuar me likuiditet të sistemit bankar, duke nxitur funksionimin sa më normal të tregjeve financiare dhe duke mundësuar rritjen e vëllimit dhe uljen e kostos së kredisë për sektorin privat.
Prezantimi i masave lehtësuese në fushën e rregullimit bankar ka inkurajuar shtyrjen e përkohshme, me një tremujor, të pagesës së kësteve të kredive, duke përmirësuar gjendjen e likuiditetit të bizneseve dhe individëve në vështirësi të përkohshme dhe shanset e tyre për mbijetesë. Paralelisht me to, ne kemi lehtësuar koston e operimit të sistemit të pagesave elektronike, duke iu përgjigjur nevojave në rritje për këtë lloj shërbimi, si dhe jemi kujdesur për furnizimin normal të ekonomisë me para fizike.
Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se Banka e Shqipërisë ka marrë masat e duhura në kohën e duhur. Në përgjigje të tyre, tregjet financiare vazhdojnë të ushtrojnë aktivitet brenda kufijve të normalitetit, me gjithë kërkesën e rritur të sektorit publik për fonde dhe pasigurinë e shtuar mbi të ardhmen ekonomike dhe financiare të vendit.
Në mbyllje të diskutimeve, duke gjykuar dhe mbi projeksionet e skenarit të përfundimit të shpejtë të pandemisë, Këshilli Mbikëqyrës i BSH vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare është i përshtatshëm. Për këtë arsye, ai vendosi: Të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%; Të lërë të pandryshuara normat e interesit të depozitave dhe kredive njëditore, respektivisht në 0.1% dhe 0.9%.
Gjithashtu, konfirmimi i skenarit pozitiv nënkupton se politika monetare do të vijojë të mbetet lehtësuese gjatë gjithë horizontit të parashikimit.
Nga ana tjetër, Këshilli Mbikëqyrës vëren se pasiguria në parashikime, kësaj here, është tejet e lartë. Po ashtu, kjo pasiguri ka formën e një probabiliteti relativisht të lartë që zhvillimet e ardhshme të rezultojnë në kahun e poshtëm të pritjeve tona. Rreziqet e kahut të poshtëm burojnë veçanërisht nga: zgjatja e mundshme e pandemisë përtej tremujorit të dytë; krijimi i problemeve në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, në formën e rritjes së normave të interesit dhe kostove të financimit të sektorit privat, në formën e përkeqësimit të ofertës së kredisë bankare, apo në formën e luhatjeve të forta të treguesve të tjerë të tregut financiar.
Këshilli Mbikëqyrës vëren se materializimi i këtyre rreziqeve mund të kërkojë një lehtësim të mëtejshëm të qëndrimit të politikës monetare. “Në përputhje me planet tona të kontigjencës, ky lehtësim mund të marrë dhe formën e instrumenteve jokonvencionale, instrumente të cilët do të jenë gjithnjë në përputhje me realitetin dhe nevojat e tregut financiar shqiptar dhe me kuadrin ligjor që rregullon aktivitetin e Bankës së Shqipërisë”, thuhet në deklaratën zyrtare të Guvernatorit të BSH-së, Gent Sejko.