Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, falenderoi të hënën Kosovën për strehimin e përkohshëm qytetarëve afganë të cilët kishin punuar me trupat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.
“Në bisedën time sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e falënderova qeverinë dhe popullin e Kosovës për mikpritjen e afganëve të rrezikuar. Qytetarët e Kosovës, shumë prej tyre dikur edhe vet refugjatë, sërish dëshmuan gatishmërinë dhe kapacitetin e tyre për të kontribuar për paqen dhe sigurinë globale”, shkroi sekretari Blinken.
Ndërsa kryeministri Kurti tha në një postim ne Twitter se sekretari Blinken shprehu vlerësimin e presidentit amerikan për mbështetjen dhe bashkëpunimin e Kosovës.
“Kosova është e nderuar të ofrojë një mjedis të sigurt për qytetarët afganë gjatë tranzicionit të tyre. Aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara është e palëkundur dhe miqësia jonë po bëhet më e fortë”, shkroi kryeministri Kurti.
Të premten nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, bisedoi në telefon me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të shprehur siç u tha mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara për ndihmën e Kosovën në evakuimin e qytetarëve afganë.
Deri tani në Kosovë janë strehuar rreth 700 qytetarë afganë.
Më herët gjatë ditës, sekretari Blinken falënderoi të gjitha vendet përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë, që ndihmuan në evakuimin e rreth 124 mijë personave nga Afganistani./voa