Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (RCC), Majlinda Bregu në ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe Vendbanimeve historike, u ka bërë thirrje qeverive të rajonit që të ndërmarrin masa për të shpëtuar sezonin turistik. Znj. Bregu thotë se, turizmi kontribuon në 10.2% të PBB-së në Ballkanin Perëndimor dhe se është një nga sektorët më të dëmtuara nga pandemia e COVID-19.
“Turizmi është sektori që po e ndjen dhimbjen më të madhe. Në një kohë kur njerëzit s’dalin nga shtëpia, kur kufijtë janë të mbyllur agjencitë dhe të punësuarit në këtë sektor i presin ditë shumë të vështira. Ndërsa turizmi kontribuon në 10.2% të PBB-së në Ballkanin Perëndimor, situata bëhet shumë e vështirë. 11,4% e totalit të të punësuarve në këtë rajon janë nga sektori i Udhëtimit dhe Turizmit, që do të thotë që rënia e numrit të të punësuarve do të jenë një fakt, shumë shpejt”, shprehet ajo.
Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal nënvizon më tej se, 42% e agjencive të udhëtimit dhe operatorëve turistikë kanë filluar të ulin pagat dhe shkarkuan disa punonjës dhe propozon si zgjidhje heqjen e vizave mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Çfarë mund të bëjmë për të lehtësuar dhimbjet? Rajoni ka nevojë për më shumë turistë. Po sikur të udhëtojmë me ID card dhe pa viza mes vendeve të Ballkanit Perëndimor?! A mund ta nisim nga shtëpia?!”, përfundon znj. Bregu.