Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, pas dëgjimit të aktakuzës, ka mbajtur një fjalim të gjatë ku ka kundërshtuar aktakuzën e ngritur ndaj tij.
Selimi, tutje theksoi se ai dhe ish-pjesëmarrësit tjerë të Ushtrisë Çlirimtare, po akuzohen padrejtësisht.
“Sot këtu nuk jam si deputet që e kam kundërshtuar këtë gjykatë por si ish-ushtar i UÇK-së, themelues i saj, përballë një aktakuze të ngritur nga Prokuroria dhe ju z.gjykatës. Rolet këtu i kemi të ndara, jemi palë të ndryshme, por ju lutem më bëni të besoj se po ashtu qëllimi ynë do të jetë drejtësia, mbi të gjitha e vërteta. E pashë aktakuzën e ngritur nga Prokuroria. Ishte aktakuzë e rëndë, vuliminoze e mbi të gjitha e padrejtë. E pasaktë ndaj meje dhe luftës së popullit tim dhe shtetit nga vijë unë. Ky proces do ta dëshmojë që ishim popull i shtypur që luftuam për liri. Bëmë luftë të pastër dhe të drejtë, kjo luftë do të jetë e tillë edhe pas këtij procesi. Kush ka dyshime do të bindet se as unë as UÇK nuk kemi të bëjmë me krime e ndërmarrje të përbashkët kriminale siç akuzohemi padrejtësisht”, u shpreh Selimi.
“Po, unë kam luftuar kundër Serbisë, kundër Serbisë okupatore e cila veç të këqija i ka sjellë vendim tim. Prandaj, unë e kam bërë vetëm detyrën time si qytetar i vendit tim. Unë jam vetëm çlirimtar. Luftën e kemi nisur me Adem Jasharin dhe e kemi përfunduar me gjeneralin Clark, me NATO-n. Drejtësia duhet të jetë qëllimi ynë këtu, pse jo edhe Prokurorisë”, u shpreh tutje.
Më 4 nëntor, Selimi, që gjatë luftës ka qenë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njoftoi për konfirmimin e aktakuzës dhe u transferua në qendrën e paraburgimit në Hagë më 5 nëntor.
Sipas aktakuzës, Selimi dyshohet për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte, ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit të vitit 1998 dhe shtatorit, 1999.