Senatorët Jeanne Shaheen, Chris Murphy (Komiteti i Punëve të Jashtme) dhe Thom Tillis (Komiteti i Shërbimeve të Armatosura) janë takuar me Presidentin Vuçiq.
Ata diskutuan për bashkëpunimin dypalësh, integrimin evropian të Serbisë, situatën në rajon, energjinë dhe krizën në Ukrainë.
Presidenti Vuçiq theksoi se përmirësimi i bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Serbisë, njoftoi Presidenca e Serbisë.
“Këmbimi tregtar këtë vit do të arrijë vlerën prej 1.2 miliardë dollarësh, që tregon përparim të dukshëm në marrëdhëniet tona ekonomike. Shpresojmë në intensifikimin shtesë të llojeve të ndryshme të bashkëpunimit dhe realizimin e projekteve specifike me interes të përbashkët”, tha Vuçiq, raporton B92
Me rastin e krizës në Ukrainë, Vuçiq theksoi përkushtimin e Serbisë për respektimin e parimeve të së drejtës ndërkombëtare, integritetit territorial dhe pavarësisë politike të shteteve, siç dëshmohet nga votimi i Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë.
Gjatë bisedimeve me senatorët amerikanë, Vuçiç falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Uashingtonit për rrugën e Serbisë drejt anëtarësimit të plotë në BE.
“Ky është një nga synimet tona prioritare të politikës së jashtme dhe angazhimi strategjik i Serbisë”, tha presidenti Vuçiq.
Duke folur për situatën në rajon, Vuçiq theksoi se Serbia respekton integritetin territorial të Bosnjë-Hercegovinës, si dhe Republikën Srpska brenda BeH-së. Ai shtoi se është me interes kyç për Serbinë ruajtja e stabilitetit në rajon dhe forcimi i bashkëpunimit në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën e ekonomisë, sepse vetëm një rajon i tillë mundëson zhvillimin e qëndrueshëm të vetë Serbisë.
Në këtë drejtim, Vuçiq, si shembull të bashkëpunimit të suksesshëm rajonal, përmendi Iniciativën “Ballkani i Hapur”, i cili synon zhvillimin e mëtejshëm të rajonit dhe ngritjen e standardeve të jetesës së të gjithë qytetarëve të tij.
Senatorët amerikanë e uruan presidentin Vuçiq për fitoren e tij në zgjedhjet e fundit. Ata theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se përmirësimi i marrëdhënieve mes dy vendeve çon në forcimin e bashkëpunimit ekonomik dhe politik.
Vete senatoret amerikane thanë të martën në Beograd se Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj të Jashtme me atë të Bashkimit Evropian.
Ata i bënë këto komente pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, duke theksuar se “në këtë moment historik është me rëndësi që vendet demokratike të Evropës t’i dërgojnë mesazh të qartë Rusisë dhe të kërkojnë llogari”,transmeton Voa
“Ndërsa Rusia vazhdon të humbasë në Ukrainë, ajo do të përpiqet të krijojë probleme në rajonet e brishta në afërsi. Unë jam në Serbi, Kosovë dhe Bosnje këtë javë me senatoren Shaheen dhe senatorin Thom Tillis, për të forcuar lidhjet e Shteteve të Bashkuara me Ballkanin, përballë përpjekjeve të huaja për të dëmtuar paqen”, shkroi në rrjetet sociale para takimeve në Beograd senatori Chris Murphy.
Ai tha se gjatë bisedimeve me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç, i është thënë se synohet një bashkësi e vendeve demokratike që do të dënojnë agresionin rus në Ukrainë.
“I kuptojmë lidhjet historike ndërmjet Serbisë dhe Rusisë. Vazhdojmë të mbështesim Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndërsa kemi ardhur të forcojmë marrëdhëniet e mira që ka ajo me Shtetet e Bashkuara”, tha senatori Murphy.
Senatorja Shaheen tha se është biseduar për sanksionet kundër Rusisë dhe se diskutimet rreth tyre do të vazhdojnë.
“Siç tha edhe presidenti serb, e ardhmja e Serbisë është në perëndim me pjesën tjetër të Evropës dhe ajo ecën në atë drejtim me lidhjet tregtare, të biznesit dhe investimeve. Nëse ky është synimi, atëherë gjithsesi duhet të keni politikë të Jashtme të harmonizuar me Bashkimin Evropian”, tha senatorja Shaheen.
/Argumentum.al