Senatori i Shteteve të Bashkuara nga Montana, Steve Daines po viziton Shqipërinë këtë javë, si pjesë e një turi rajonal të fokusuar tek stabiliteti, siguria energjetike dhe konflikti në zhvillim në Ukrainë.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë bën të ditur se, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, ai u takua me ambasadoren Yuri Kim, ndërsa pritet të takohet me Kryeministrin Rama, Presidentin Bajram Begaj, ministren e Jashtme, Olta Xhaçka dhe udhëheqës të tjerë politikë.
Senatori Daines do të vizitojë gjithashtu Bazën Ajrore të Kuçovës, e cila do të marrë mbi 58 milionë dollarë fonde nga NATO për t’u modernizuar, për të mbështetur transportin ajror të NATO-s, logjistikën, policimin ajror dhe trajnimin.
Senatori Daines shërben në Komitetin e Financave të Senatit, Komitetin për Çështjet Bankare, Strehimin dhe Çështjet Urbane, Komitetin e Energjisë dhe Burimeve Natyrore dhe Komitetin e Senatit për Çështjet Indiane.
Takimi me Presidentin Begaj
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot senatorin amerikan, Steve Daines, i cili ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri.
Presidenti Begaj vlerësoi se, vizita e senatorit Daines në Shqipëri vjen në një moment të rëndësishëm, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të zhvillimeve dinamike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Presidenti Begaj nënvizoi se, marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të një rëndësie parësore për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Duke iu referuar lidhjeve të forta miqësore e njerëzore, Begaj vlerësoi se ato janë shumëdimensionale dhe shumë dinamike dhe se Shqipëria do të mbetet një aleate besnike e Shteteve të Bashkuara.
Kreu i shtetit shprehu mirënjohjen për ndihmën e gjithanshme që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dhënë Shqipërisë, veçanërisht në kuadër të reformave të domosdoshme për forcimin e shtetit ligjor dhe konsolidimin e institucioneve demokratike, ku padyshim reforma në drejtësi ka marrë vëmendjen kryesore.
Presidenti Begaj vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë me SHBA-në.
Transformimi, modernizmi dhe niveli i lartë profesional që Forcat e Armatosura zotërojnë sot si anëtarë të denjë të NATO-s, janë edhe falë kontributit dhe mbështetjes së dhënë nga SHBA në fushën e arsimimit, pajisjes me kapacitete moderne dhe stërvitjeve të përbashkëta.
Seria e stërvitjeve “Defender Europe”, krahas demonstrimit të aftësive profesionale, kapaciteteve operacionale dhe gatishmërisë në mbrojtje të vlerave euroatlantike është një tregues i marrëdhënieve të shkëlqyera të bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve ndërnjerëzore ndërmjet ushtarakëve të dy vendeve.
Begaj shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe bashkëpunimin e ngushtë mes agjencive të specializuara të të dy vendeve për përballimin e sulmeve kibernetike të vitit të shkuar nga aktorë të lidhur me agjencitë shtetërore iraniane, si dhe e informoi Senatorin mbi vendimin aspak të lehtë, por të drejtë, të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin.