Në Mitrovicën e Veriut, pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, protestuan pjesëtarët e komunitetit serb, të cilët kundërshtuan hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve.
“Në urë ne mbrojtëm mbijetesën, tani mbrojmë zhdukjen”, “Nëse Kurti e hap urën, KFOR-i dhe QUINT-i do të jenë përgjegjës”, “Derisa BE-ja dhe SHBA-ja po shkruajnë deklarata, neve po na dëbojnë”, ishin disa nga mesazhet që shiheshin në pankartat e protestuesve në Mitrovicë të Veriut.
Ura mbi lumin Ibër ndan Mitrovicën e Jugut të banuar me shumicë shqiptare dhe Mitrovicën e Veriut, me shumicë serbe dhe Qeveria e Kosovës, pavarësisht kundërshtimit të bashkësisë ndërkombëtare, ka thënë se synon ta hapë atë për lëvizjen e automjeteve.
Gjatë protestës, ish-gjyqtari nga Mitrovica e Veriut, Nikolla Kabashiq, tha se duhet të arrihet konsensus ndërmjet të gjithë përfaqësuesve të serbëve në Kosovë për të identifikuar dhe mbrojtur interesat themelore të komunitetit serb.
“Mjerimi është problemi ynë kolektiv. Ne jemi të sulmuar si popull, ne jemi nën agresion që të largohemi nga Kosova”, tha Kabashiq.
Si forma të presionit, pjesëtarët e komunitetit serb përmendën përpjekjet e Qeverisë së Albin Kurtit për të vendosur autoritetin në veri të Kosovës, si dhe praninë e pjesëtarëve të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Kabashiq theksoi se nuk u protestua kundër popullit shqiptar, por kundër Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.
Duke folur për synimin e Qeverisë së Kosovës që ta hapë urën mbi Ibër, Kabashiq tha se komuniteti serb nuk e dëshiron këtë, ndërsa shtoi se pretendimet e autoriteteve kosovare se kjo do të bëhej për paqe dhe bashkëjetesë, nuk janë të sakta.
“Ne këtu nuk ndihemi të sigurt”, tha ai, duke shtuar se ekziston liria e lëvizjes edhe pse ura nuk është e hapur për trafik.
Sipas tij, ura mund të hapet vetëm nëse palët bien dakord në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve dhe kur situata të normalizohet.
Në këtë kontekst, ai kërkoi që pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës të tërhiqen nga veriu i Kosovës dhe udhëheqjen e pushtetit lokal ta marrin përfaqësuesit e komunitetit serb.
Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në mes të korrikut njoftoi se synon të hapë urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
Megjithatë, vendet e QUINT-it – SHBA, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia – më 2 gusht deklaruan se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë moment.
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, deklaroi se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.
Ushtarët italianë në kuadër të misionit të KFOR-it ndodhen në urën mbi lumin Ibër, ndërsa afër ndodhen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, më 1 gusht përsëriti qëndrimin e BE-së se çështja e hapjes së urës në Mitrovicë duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut, duke pasur parasysh që për këtë ekziston një marrëveshje.
KFOR-i gjithashtu deklaroi se nuk do të hezitojë të reagojë nëse ekziston rreziku që ngjarjet të ndikojnë në sigurinë dhe stabilitetin rajonal.
Në protestën e 7 gushtit në Mitrovicë të Veriut ishin edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit./REL-Argumentum.al