Mandatarja për kryeministre të Qeverisë së re të Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë gjatë paraqitjes së programit qeverisës se, energjia përbën prioritetin kyç në qeverisjen e saj.
Sa i përket politikë së jashtme, ajo ka thënë se Ukraina “është kthyer në çështjen kryesore”.
“Në një botë të tillë, Serbia duhet të pozicionojë veten, të ruajë stabilitetin dhe të vazhdojë rritjen dhe zhvillimin, dhe kjo përbën detyrën bazike të qeverisjes së ardhshme”, ka thënë Bërnabiq.
Sipas saj, Serbia do të investojë 12 miliardë euro në politika të reja energjetike në vitet në vijim.
“Serbia do të nisë ndërtimin e një tubacioni të naftës për në Hungari, sa më shpejt që është e mundur, dhe ky do të jetë në mesin e projekteve që kanë prioritet në Qeverinë e re”, ka thënë ajo.
Serbia dhe Hungaria kanë arritur pajtueshmëri për ndërtimin e një tubacioni nafte që i mundëson Serbisë të furnizohet me “naftë më të lirë përmes tubacionit Druzhba”, kanë thënë autoritetet hungareze.
Marrëveshja për ndërtimin e tubacionit është arritur pasi Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione të reja tregtare ndaj Rusisë më 6 tetor.
Bërnabiq po ashtu ka përmendur se Serbia është duke përfunduar punimet në një projekt me Bullgarinë” që i mundëson qasje në gazin natyror të lëngshëm të Greqisë”.
Deklaratat për Kosovën dhe bashkëpunimin rajonal
Bërnabiq ka thënë se Kosova, edhe 10 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel, nuk ka vepruar për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka nisur më 2011.
“Ne presim që BE-ja dhe Prishtina të sigurohen për themelimin e Asociacionit, pa vonesa të mëtejme”, ka thënë ajo.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik./Marre me shkurtime nga REL