Një marrëveshje e nënshkruar mes Rusisë dhe Serbisë në Nju Jork të shtunën ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve dhe ka ngritur shqetësime për politikën e jashtme të Beogradit.
Kryediplomati rus Sergej Lavrov dhe homologu i tij serb Nikola Selakoviq nënshkruan marrëveshjen për konsultime ndërmjet ministrive të jashtme të dy vendeve në lidhje me politikat e jashtme.
Lajmi është bërë i ditur nga autoritetet serbe pasi marrëveshja është nënshkruar gjatë kohës që po zhvillohej sesioni i 77-të i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar ashper duke thene se Marrëveshja Serbi-Rusi duhet t`i alarmojë kryeqendrat perëndimore
“Ne përballemi me fqinjët verior, që udhëhiqet nga një president i frikës dhe i kërcënimit, që përveç se udhëheq me një shtet në mënyrë jo demokratike dhe nuk e njeh Kosovën dhe krimet të cilat i ka kryer regjimi i Milloshevicit në Kosovë, gjithashtu mban edhe lidhje shumë të ngushta me federatën ruse, siç e pamë edhe së fundi me marrëveshjen e bashkëpunimit që nënshkroi ministri i jashtëm serb me atë rus, që duhet t’i alarmojë kryeqendrat perëndimore-demokratike“, tha ai.
Kujtojmë se kryeministri Rama në një intervistë për një gazetë amerikane, përsëriti të premten qëndrimin e tij në favor të Serbisë në lidhje me dështimin për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë duke justifikuar aktin e presidentit Aleksandar Vuçiç duke thënë se ai nuk mund të mbijetonte politikisht dhe ekonomikisht pa mbështetjen e Putin.
/Argumentum.al