Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri të ditur se pas seancës së 15 dhjetorit, Qeveria e Serbisë do t’i dërgojë kërkesë komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, për të dërguar deri në 1.000 forca të sigurisë në Kosovë.
Beogradi zyrtar qysh më 8 dhjetor paralajmëroi shqyrtimin e vendosjes së forcave të veta në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Kombeve të Bashkuara.
Me këtë paralajmërim, ai iu përgjigj pranisë së shtuar të Policisë së Kosovës në pjesën veriore të vendit, e cila është e banuar me shumicë serbe.
Deri te kjo situatë erdhi një muaj pasi serbët në veri u larguan nga institucionet e Kosovës.
Ndërkaq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se territorin e Kosovës nuk do të ketë më kurrë policë dhe ushtarë të Serbisë.
Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë janë rritur ditëve të fundit, teksa serbët lokalë më 10 dhjetor ngritën barrikada në veri të Kosovës. Ata po kundërshtojnë arrestimin e ish-policit të Kosovës, Dejan Pantiq.
Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës e ka fajësuar Pantiqin si organizator të “sulmit terrorist” ndaj zyrtarëve zgjedhorë dhe policëve më 6 dhjetor në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok.
Kujtojmë se ende për të tretën ditë me radhë rrugët që çojnë në dy vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në veriun e vendit vazhdojnë të mbahen të bllokuara nga grupe serbësh, ndërsa vazhdojnë thirrjet e diplomatëve perëndimorë për heqjen e tyre dhe kthimin e palëve në tryezën e bisedimeve.