Një zyrtar amerikan pritet të arrijë në Beograd për të diskutuar blerjen e sistemeve të avancuara raketore anti-ajrore ruse të cilat mund të ekspozojnë Serbinë në sanksione amerikane.
Ushtria e Serbisë varet shumë nga teknologjia ruse dhe ish-sovjetike e armëve, por shitjet e armëve të Rusisë janë goditur nga sanksione amerikane për shkak të konflikteve që janë krijuar si ai i Ukrainës.
Serbia kohët e fundit ka blerë raketa anti-aeroplan Pantsir nga Rusia dhe dërgesat priten në muajt e ardhshëm. Vitet e fundit, Beogradi ka blerë gjithashtu avionë ruse, helikopterë, tanke dhe transportues të blinduar të personelit.
Shqetësimet e SHBA-së u rritën muajin e kaluar kur Rusia dërgoi sistemin e saj të mbrojtjes raketore dhe lëshuesit e Pantsir në Serbi për një stërvitje ushtarake.
Rusia dëshiron të mbajë një aleat tradicional, por Serbia po ndjek lidhjet me NATO-n dhe po përpiqet të anëtarësohet në Bashkimin Europian.
Matthew Palmer, një i dërguar i SHBA për Ballkanin, tha javën e kaluar se Serbia mund të rrezikojë sanksione për marrëveshjet e saj të armëve me Rusinë. Sipas sanksioneve, Serbia mund të përballet me ndëshkime duke filluar nga ndalimet e vizave deri në mohimin e licencave të eksportit.
Presidenti Aleksandar Vuçiç u bëri thirrje serbëve të mos kenë frikë pasi; “Kur SHBA-ja vendos për sanksione të tilla, ata i vendosin ato kundër një kompanie ose një individi, jo kundër një kombi të tërë.” (Euronews)