Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme thirri sot për sqarime ambasadorin e Republikës së Serbisë, Slobodan Vukçević, pas shpalljes “non grata” nga Serbia të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile.
Në një reagim për Top-Channel, MEPJ bëri të ditur se gjatë takimit, iu transmetua keqardhja dhe shqetësimi serioz për ndalimin dhe largimin nga territori i Serbisë të dy shtetasve shqiptarë, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët po merrnin pjesë në një seminar në Beograd.
“Këtë veprim nuk e konsiderojmë në përputhje me dëshirën dhe përpjekjet tona për të ruajtur marrëdhënie të mira fqinjësore dhe me impakt negativ në lëvizjen e lirë të shtetasve tanë”, thuhet në reagimin e MEPJ-së.
MEPJ kërkoi sqarime lidhur me këtë rast dhe theksoi nevojën që autoritetet serbe të rishikojnë dhe të marrin në konsideratë apelimin e vendimeve të marra.
“U kërkua gjithashtu që të mos lejohet përsëritja e ngjarjeve të tilla në të ardhmen. Ky rast është duke u ndjekur me vëmendje të plotë nga Ambasada Shqiptare në Beograd”, thuhet në reagimin e MEPJ-së.
Me argumentin se ata përbëjnë “rrezik për sigurinë kombëtare”, Serbia i ka ndaluar hyrjen për një vit në territorin e saj 14 përfaqësuesve të shoqërisë civile nga Austria, Kroacia, Sllovenia, Republika Çeke, Rumania, Moldavia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Gjatë 21 dhe 22 janarit ata ndodheshin në Beograd me ftesë të fondacionit austriak “Erste” për të diskutuar “strategjitë përmes të cilave organizatat joqeveritare mundet të krijojnë të ardhura”.
Gazmir Memaj nga fondacioni “Mary Ward Loreto” dhe Edlira Lilaj nga “Organizata Help” në Tiranë, ishin pjesë e të 14 anëtarëve të shoqërisë civile, të cilëve shërbimi sekret serb, në bashkëpunim me policinë, i intervistuan dhe vendosën në pasaportat e tyre vulat e ndalimit të hyrjes në Serbi për një vit.