Ushtria ruse të shtunën raportoi një shkelje të armëpushimit që i dha fund konfliktit midis Azerbajxhanit dhe Armenisë për rajonin e shkëputur të Nagorno Karabakut.
“Një rast i shkeljes së armëpushimit u raportua më 11 dhjetor në rrethin Hadrut”, tha një deklaratë nga ministria ruse e Mbrojtjes, e cila ka vendosur paqeruajtës në rajon.
Ushtria armene njoftoi se dy fshatra që janë nën kontrollin e Karabakut janë sulmuar nga ana e Azerbajxhanit. Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit tha se ishin marrë “kundërmasa të duhura” kundër “provokimeve” nga pala tjetër, por shtoi se armëpushimi “aktualisht po respektohej”.
Një zëdhënës i forcave paqeruajtëse ruse konfirmoi “shkëmbimin e zjarrit me armë automatike”, duke i thënë agjencisë Ria Novosti se kërkesat për të respektuar armëpushimin u ishin dërguar të dyja palëve.
Më herët gjatë ditës, forcat e Karabakut njoftuan se tre luftëtarë të tyre ishin plagosur në një sulm nga forcat Azerbajxhanase.
Gjashtë javë luftime në Nagorno Karabak, të cilat lanë mijëra të vdekur në të dy palët, përfunduan me një shkatërrim për ushtrinë armene.
Marrëveshja e armëpushimit sponsorizuar nga Moska, në nëntor, i dha Azerbajxhanit fitimet territoriale dhe lejoi që rreth 2.000 paqeruajtës rusë të vendosen në rajon.
Rajoni i Nagorno-Karabakut njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, mirëpo arment etnikë përbënin pjesën më të madhe të popullsisë atje dhe refuzonin rregullin azerbajxhanas.
Ata kanë udhëhequr çështjet e tyre vetë, me mbështetje të Armenisë, prej kur trupat e Azerbajxhanit dhe civilët etnikë të këtij shteti janë larguar nga rajoni, në luftën që ka përfunduar me armëpushim më 1994.