Një protestë e re është duke u zhvilluar në Tiranë, para mjediseve të Parlamentit, ndërsa deputetët e mazhorancës janë mbledhur në seancë plenare, kurse opozita po qëndron jashtë e rrethuar mes përforcimeve të mëdha policore.
Nga ana e tij, kryetari i Partisë Demokratike, i shoqëruar nga lideri historik i PD-së, Sali Berisha doli nga selia blu për të marshuar me një grup të madh qytetarësh drejt protestës që po zhvillohet te Parlamenti.
Basha tha para mediave se kryeministri Edi Rama është kapur si miu në çark nga populli.
Me thirrjet “Rama ik”, mijëra protestues opozitarë u përplasën me policinë në hyrjen dytësore të Parlamentit, ku nuk mungoi hedhja e shashkave dhe tymuesve.
Nga ana tjetër, forcat e rendit janë bërë “gardh” përpara protestuesve ndërsa në gatishmëri janë edhe FNSH dhe Garda e Republikës.
“Edhe sot e bënë aktin tinzar dhe të paligjshëm. Nuk është më Kuvendi i Shqipërisë por i krimit dhe hajdutëve. A ta që kalojnë ligje antikushtetuese për të vjedhur miliona nga populli. Pushteti i vërtetë i takon popullit. Ne të gjithë bashkë kishim njoftuar protestën tonë të radhës. Në mënyrë ilegale ndryshuan mbajtjen e parlamentit sepse menduan se do i shpëtojnë zemërimit të njerëzve. Kurrë më parë nuk është mbledhur kaq shumë njerëz brenda pak orësh”, tha Basha.
Ndërkaq, disa prej protestuesve kanë shtyrë ministrin Blendi Klosin ndërsa ai po kalonte pranë Pedonales, por pas ndërhyrjes të pjesëtarëve të Gardës dhe Policisë, ai ka mundur të futet në rrethimin e Parlamentit nga hyrja anësore.
Plani i masave të zbatuar është i ngjashëm me protestat e mëparshme të opozitës por vërehet një numër më i vogël policësh. Është formuar një kordon me punonjës rendi përgjatë gjithë rrethimit ku vërehet se të gjithë janë të pajisur me maska kundër gazit. Po kështu vërehet se mungojnë policet femra. Në vijë të dytë janë pozicionuar forcat “Shqiponja” ndërsa pranë godinës së parlamentit është vendosur Garda e Republikës. Në rrethimin e xhamisë së Namazgjasë janë pozicionuar FNSH-të, zjarrfikëset dhe autoambulancat. Në godinat e larta pranë parlamentit janë forcat RENEA.