Autoritetet e sigurisë në Kosovë thanë se në orët e hershme të mëngjesit të së martës, është sulmuar me armë zjarri një njësi e policisë në fshatin Zupçe të komunës së Zubin Potokut, në veriun e banuar me shumicë serbe.
Policia e Kosovës tha se përveç dëmeve materiale në makinën me të cilin po udhëtonin pjesëtarët e saj, nuk ka pasur dëme në njerëz. Policia tha se ka shtuar masat me qëllim të rritjes së sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve dhe po kryen hetime rreth incidentit të sotëm.
Gjatë muajit janë raportuar disa sulme ndaj policisë në veri. Më 15 prill dy makina të saj u sulmuan me armë zjarri dhe granatë dore. Autoritetet i cilësuan ato “sulme të sinkronizuara nga grupe të caktuara, të cilat mbështeten drejtpërdrejtë nga Serbia”.
Sulmi i sotëm u dënua nga zyrtarët serb në Serbi dhe Kosovë.
Shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, në një postim në Twitter, e dënoi siç tha, fuqishëm sulmin ndaj makinës së policisë së Kosovës dhe çdo përpjekje të mëparshme për të rrezikuar paqen dhe qëndrueshmërinë. “Ngritja e tensioneve në terren, sidomos në veri, nuk ka të bëjë me serbët! Por ka të bëjë me nevojën e shumë njerëzve për t’i nxitur serbët në veri. Pyesni veten – kush përfiton nga kjo ?!”, shkroi ai.
Edhe Lista Serbe, subjekti kryesor i serbëve të Kosovës, tha se incidenti ka për qëllim destabilizimin e situatës, por edhe përpjekje për t’i paraqitur serbët si nxitës. Kjo listë u bëri thirrje qytetarëve “për vetëpërmbajtje, të mos bien pre e provokimeve dhe të mos lejojnë që incidente të tilla të rrezikojnë paqen aq të nevojshme në këtë rajon”.
Lista Serbe ka akuzuar qeverinë e Kosovës për shtim tensionesh në mjediset e banuara me pjesëtarë të komunitetit serb.
Kryetari i kësaj liste, Goran Rakiç, njëherësh ministër për Kthim dhe Komunitete në qeverinë e Kosovës, tha të hënën se ka marr informata që Prokuroria e Posaçme e Kosovës ka nisur procedurat ndaj qytetarëve serb, afaristëve dhe udhëheqësve politik, për siç thuhet, sulm ndaj rendit Kushtetues të Kosovës, e që lidhen me protestat e vitit të kaluar në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Do të jem i drejtpërdrejtë, kjo është një përndjekje politike dhe etnike e popullit tonë. Sipas informacioneve që kemi, kjo është një procedurë ndaj më shumë se 70 qytetarëve tanë”, tha ai, duke nënvizuar se tashmë ka njoftuar ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore për veprimet e Prishtinës zyrtare.
“Nëse Prishtina fillon me veprime të njëanshme, Zoti na ruajt, duke arrestuar qytetarët tanë, ne do të detyrohemi të rezistojmë me të gjitha mjetet demokratike dhe jodemokratike, që përfshijnë mosbindjen e plotë qytetare, për të mbrojtur të drejtat e njeriut të qytetarëve tanë”, tha ministri Rakiç.
Veriu i Kosovës vazhdon të mbetet një nga zonat më pak të kontrolluara të vendit. Në raporte të ndryshme ndërkombëtare, veriu i Kosovës përmendet në veçanti si një zonë gri dhe e përshkuar nga veprimtari të paligjshme. Në dhjetor të vitit të kaluar, Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj një grupi të krimit të organizuar me seli në veriun e Kosovës. Grupi udhëhiqet nga afaristi serb, Zvonko Veselinoviç, të cilin departamenti i Thesarit e cilësoi si shef të grupit të krimit të organizuar dhe një nga figurat më famëkeqe të korruptuara të Kosovës.
Ky grup akuzohet pos tjerash për marrëveshje me politikanët në veri të Kosovës, për të ndihmuar fitoren e tyre në zgjedhje dhe mbështetjen financiare për ta si dhe trafikim të paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.