Si çdo vit të ri, pas bilancit të 2020-ës, shohim sfidat e reja madhore që kemi përpara. COVID-19 që po vazhdon të bëjë kërdinë gjithandej mbetet sfida më serioze planetare; e shoqëruar me kriza dhe konflikte të tjera të njohura gjerësisht, të trashëguara nga viti i kaluar kudo në botë. Viti i ri vjen natyrshëm me motivimin e madh nga hyrja në Shtëpinë e Bardhë më 21 janar e ekipit të ri demokrat të Presidentit Joe Biden. Për rrjedhojë, do të kemi një administratë dhe diplomaci shumë më pozitive dhe efektive, për t’i dhënë sërish tonin dhe diplomacisë botërore. Ekipi i sekretarit të shtetit Blinken dallohet dhe premton profesionalizëm, euro-atlantizëm, multilaterizëm, hapje dhe ndërkombëtarizim të diplomacisë amerikane. Pritet që shumë shpejt SHBA-të të rihyjnë në organizatat dhe traktatet ndërkombëtare, të forcojnë dhe zgjerojnë partneritetin transatlantik, të riformatizojnë marrëdhëniet me Rusinë, Kinën, Turqinë dhe të jenë shumë më aktive në Ballkan.
Ama, të gjitha këto nëpërmjet forcimit me përparësi të shtetit të së drejtës; duke filluar nga kurimi i plagëve të rënda dhe heqja e njollave të shëmtuara që i shkaktoi Presidenti në largim me bandat e tij demokracisë amerikane, veçanërisht me sulmet e dhunshme me karakter terrorist dhe ditët e fundit deri në Capitol Hill. Tanimë, ky përbën një parakusht thelbësor për politikën e jashtme amerikane, besueshmërinë, ndikimin dhe efektet e saj gjeopolitike në zgjidhjen e krizave të shumta kudo në botë. Duke filluar nga Lindja e Mesme, që në mars përkujton 10-vjetorin e “Pranverës Arabe”, tashmë një “Dimër kallkan” me tematikë ulëritëse, shumë më sfiduese se 10 vite më parë dhe lufta kundër terrorizmit në 20-vjetorin e 11 shtatorit 2001. Kujdes, pa lidershipin amerikan, sikur “namin” të bëjë, Europa e ka të pamundur misionin për paqe e siguri. Po ashtu, pritet që SHBA-të të ripërfshihen në Paqësor, ku nëntorin e kaluar 15 shtete, ndërmjet të cilave katër aleate të SHBA-ve dhe BE-së e sfiduan, duke krijuar tregun më të madh unik me 30 për qind të GDP-së botërore.
BE-ja nga ana e vet, do të fillojë zbatimin e buxhetit më të madh në historinë e saj 2021-2027 dhe Paketën Ekonomike prej 750 miliardë eurosh; ashtu si vitin e kaluar do të tregojë se, pavarësisht nga vonesat/mungesat, me gjithë “BREXIT” dhe “plagët” nga krizat, ajo di të dalë më e fortë. Sfidë tjetër e madhe mbetet miratimi i Paktit të Emigrimit, Ballkani etj. Me rëndësi dhe ndikim pritet të jenë në Gjermani zgjedhjet parlamentare në 6 nga 16 landet e saj, në shtator zgjedhjet federale parlamentare dhe largimi i Merkel nga politika aktive. Po kështu, në mars Franca do të ketë zgjedhjet rajonale, gati një vit përpara atyre presidenciale.
Ndërsa NATO do të vijojë me nismat e ndërmarra, duke konfirmuar se nuk ka “vdekje klinike”. Në mars do të diskutohen dhe vihen në zbatim qindra rekomandime të shënuara në raportin e Grupit të politikanëve të njohur mbi të ardhmen e NATO-s 2030. Bashkë me SHBA-të, ajo do të angazhohet për parandalimin dhe shuarjen e konflikteve të njohura të brendshme, forcimin e karakterit politik dhe zgjerimin e rolit të saj global dhe në Azi e Paqësor. NATO do t’i kushtojë rëndësi të veçantë edhe riformatizimit të marrëdhënieve me Rusinë, nëpërmjet dy “D”-ve – Dekurajimit & Dialogut, me Kinën etj.
Ballkani Perëndimor, sidomos Kosova, që më 14 shkurt do të shkojë sërish në zgjedhje, ka të drejtë të shpresojë shumë nga Presidenti i ri amerikan, NATO dhe BE-ja në përballimin e të paktën 10 sfidave të njohura e të vështira. Lidhur me bashkëpunimin rajonal, dihen tashmë arritjet, sfidat dhe problemet. Duket sheshit se pengesë dhe “mollë sherri” përbën Mini-shengeni. Në shumë shkrime është argumentuar përse ai është i panevojshëm, si mbivendosje mbi nisma të tjera dhe me pikëpyetje lidhur me synimet e shumëfishta serbe. Nuk e kuptojmë përse do harxhuar kohë dhe energji për një nismë që dihet se si dhe pse lindi, kur vetë BE-ja as që e përmend. Ja, shihni materialet e Samitit BE-Ballkani Perëndimor në Sofje më 10 nëntor, ku fjala “Mini-shengen” nuk ekziston. Në vend të tij është Tregu i Përbashkët Ballkanik dhe Zona Ekonomike Rajonale, ku do të alokohen 9 miliardë euro nga BE-ja e plot investime të tjera. Dhe përmendja e tij më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë ishte aksidentale, pa kurrfarë legjitimiteti, një “kokoshkë zgjedhore” dhe shpërblim për Beogradin; por që në Prishtinë e në Tiranë, veç qeverisë kudo vështirë të “gëlltitet”. Sidomos tani që liderët e UÇK-së janë në Hagë. Besojmë se ky dokument, i bërë ashtu në vrap e sipër do të rishihet, plotësohet dhe kthehet në marrëveshje politike tërësore. Natyrisht, nuk ka gjë të keqe nëse synohet të akomodohen pozicionet e të gjitha palëve në rajon; vetëm se kjo pa u prishur me Kosovën për hatër të Serbisë, siç ka ndodhur këto 7 vitet e fundit. Apo kur ndaj Beogradit dhe Vuçiç Kryeministri ynë tregohet politikisht “kind dhe polite” ndaj “zullumeve” të tyre. Kur vetë BE-ja vendosi të mos rifillojë negociatat për shkak të glorifikimit të krimineleve të luftës nga Serbia.
Ndërkohë, politika e jashtme dhe diplomacia jonë hynë më 2021 pas suksesit diplomatik të kryesimit për herë të parë të OSBE-së. Me Greqinë u arrit të shtyhet çështja e detit, duke e transferuar atë në Hagë kush e di se kur; por tani për tani ajo nuk është “patate e nxehtë”. Gjithsesi, mbetet shumë punë për të bërë. Azili dhe në kushtet e pandemisë, ndonëse disi i zbutur përbën shqetësim të madh e të shumëfishtë, kur qeveria pothuajse është dorëzuar krahas dukurive të tjera të njohura negative. Lajm i mirë është se pas dy vitesh “me dy Kamberë në një derë” në diplomacinë tonë, 2021-shi filloi mbarë me kryediplomaten e re znj. Xhaçka, me profil të theksuar politik.
Edhe gjatë këtij viti do të na rrijë “si çekan te koka” çelja e negociatave me BE-në, të cilat u shtynë për mosplotësimin e kushteve nga ana jonë. Urojmë ta realizojmë këtë objektiv në qershor; që të paktën të kemi një “ngushëllim” kur të përkujtojmë disa jubile tingëllues që lidhen me to – 15-vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit; 30-vjetori i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me BE-në, anëtarësimit në OSBE, Bankën Botërore, FMN e kështu me radhë.
Ndonëse këtë sfidë madhore do ta shtjellojmë në shkrimin e ardhshëm, paraprakisht do theksuar se çelja e negociatave do të jetë në varësi të kryetemës së dytë madhore, e cila ka të bëjë me zgjedhjet e 25 prillit, vendimtare për demokracinë. Ndaj, rëndësi më të madhe nuk ka se kush do të fitojë, por respektimi i standardeve të njohura për zgjedhje të lira e të ndershme si “Thembra e Akilit” e demokracisë 30-vjeçare. Këtë apel japin dhe jubiletë zgjedhorë. Më 31 mars mbushen 30 vjet nga zgjedhjet e para pluraliste, që së bashku me ato të 22 marsit 1992 mbeten ende më të mirat. Sepse paskëtaj, ato u njollosën me turp nga të dyja krahët e politikës. 25 vite më parë nga farsa dhe masakra zgjedhore e 26-28 majit 1996; ndërsa para 20 viteve nga “Dushku zgjedhor” 2001. Kësisoj, zgjedhjet e 25 prillit mbartin një përgjegjësi të madhe historike, për të bindur komunitetin ndërkombëtar se “ kemi vënë mend”.
Së fundi, gjatë vitit 2021 do të intensifikohen demarshet tona diplomatike për një vend jo të përhershëm në KS të OKB-së (2022-2024) dhe në drejtime të tjera të politikës së jashtme. Gjithsesi, epiqendra e kujdesit mbetet politika dhe besueshmëria brenda vendit. Nuk mund të bëhesh dot arbitër për “ndeshjet jashtë” kur i ke “punët lëmsh brenda shtëpisë”. Siç thotë ish-kryeministri emblematik britanik William E. Gladstone, “parimi i parë në politikën e jashtme është: mirëqeverisje e brendshme”./gsh