Tetë persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që kanë ndodhur në tre qendra masazhi në qytetin e Atlantës, Xhorxhia.
Autori i dyshuar është arrestuar menjëherë nga policia dhe tanimë ndodhet në paraburgim. Ai është një 21 vjeçar, i cili është arrestuar rreth 3 orë larg vendit ku hapi zjarr dhe u mori jetën 8 personave.
Policia e Atlantës tha se gjeti katër gra, të cilat të gjitha dukeshin se ishin aziatike, të vdekura brenda dy salloneve të masazhit përtej rrugës, përballë njëra-tjetrës.
Katër persona të tjerë, duke përfshirë dy gra aziatike, u vranë dhe një tjetër u plagos në një sallon masazhi aziatik në Cherokee County.
Sipas autoriteteve në SHBA, 5 viktima u qëlluan brenda sallonit të masazhit “Young’s Asian Massage Parlor”, përgjatë autostradës 92, rreth një gjysmë ore me makinë në veri të Atlantës.
Më pak se një orë më vonë, rreth orës 5:47 pasdite, oficerët iu përgjigjën një “grabitje biznesi në zhvillim” në verilindje të Atlantës në “Gold Massage Spa”. Ata gjetën tre gra të vdekura brenda, nga plagët me armë zjarri.
Policia ishte ende në skenën e krimit, kur u njoftuan se u qëllua me armë nga përtej rrugës në “Aromatherapy Spa”. Zyrtarët gjetën një grua brenda këtij biznesi, e cila gjithashtu u qëllua për vdekje.
Në paraburgim si autor i dyshuar është 21 vjeçari Robert Aaron Long. Shkaqet e krimit makabër nuk dihen ende, ndërsa autoritete dyshojnë për konfliktet në rritje kundër popullsisë aziatiko-amerikane.