Shtetet e Bashkuara kanë arritur në përfundimin se ishte Irani që ndërmori sulmet me dronë dhe raketa fundjavën e kaluar, të cilat paralizuan gjysmën e prodhimit të naftës në Arabinë Saudite.
Rrjeti CBS News citon zyrtarë të paidentifikuar që thonë se në sulmet e mesnatës të së shtunës u përdorën raketa kruz me lartësi të ulët fluturimi. NBC News tha se gjatë sulmeve u përdorën më shumë se 20 dronë dhe raketa.
Njëra prej raketave fluturoi nëpër hapësirën ajrore të Kuvajtit ndërsa drejtohej për në jugun e Arabisë Saudite, njoftoi CBS. Ndërkohë, SHBA po punojnë me vende të tjera për të analizuar gjurmët e radarit të fluturimit të raketave. Analistët gjithashtu po shqyrtojnë një mekanizëm të telekomandimit të raketave të gjetur në Arabinë Saudite si dhe një raketë pothuajse të paprekur kruz.
Përfundimet e arritura nga shërbimet e inteligjencës amerikane dhe nga ushtarakët u njoftuan ndërsa Sekretari i Shtetit Mike Pompeo ishte nisur për në Riad për të diskutuar me zyrtarët e Arabisë Saudite.
Nënpresidenti Mike Pence tha gjatë një fjalimi në Uashington se diplomati i lartë amerikan do të diskutojë mbi kundërpërgjigjen amerikane ndaj sulmit, ndërkohë që si Arabia Saudite ashtu edhe Presidenti Donald Trump kishin sinjalizuar tashmë se ata besojnë që Irani është përgjegjës për sulmet.
MBRETËRIA SAUDITE, E EKSPOZUAR NDAJ SULMEVE ME DRONË
Sulmet e fundit në qendrën e naftës së papërpunuar të Arabisë Saudite në Abqaiq dhe Khurais tregojnë se edhe një vend me një ushtri të sofistikuar dhe një buxhet të madh mbrojtjeje është i prekshëm nga sulmet e dronëve.
Shtetet e Bashkuara thonë se imazhet satelitore dhe informacionet e zbulimit tregojnë se në sulmet me dronë kundër rafinerive saudite të naftës u përdorën armë iraniane. Sulmet kanë paralizuar gjysmën e prodhimit të naftës të Arabisë Saudite. Ekspertët e sigurisë thonë se ky incident i fundit ngjall shqetësim në rritje për evolucionin e shpejtë të teknologjive që po zgjerojnë aftësitë sulmuese të dronëve.
Zyrtarë të paidentifikuar amerikanë kanë thënë për mediat perëndimore se më shumë se 12 sulme goditën instalimet nga një drejtim perëndim-veri-perëndim dhe jo nga jug-perëndimi siç pretendohet nga rebelët Huthi të mbështetur nga Irani në Jemen, të cilët thanë se ishin ata që e kishin ndërmarrë sulmin e koordinuar.
Në korrik, rebelët huthi, të cilët janë duke luftuar kundër një koalicioni të udhëhequr nga sauditët në Jemen, demonstruan raketat e tyre kruz me rreze të gjatë veprimit të prodhuara nga Irani, të quajtura “Al-Quds” dhe dronët “Sammad 3” të ngarkuar me eksploziv që thuhet se mund të godasin objektiva deri në 1.500 kilometra larg.
Asnjë sulm i mëparshëm, që nga fillimi i konfliktit në Jemen katër vjet më parë, nuk ka ndërprerë furnizimet e naftës. Por këto sulme kanë paralizuar kapacitetet prej 5.7 milionë fuçi naftë në ditë në tregjet botërore. Ato gjithashtu kanë ekspozuar cenueshmërinë e qendrës prodhuese të naftës saudite.
Analistët e mbrojtjes thonë se sulmet kanë ekspozuar probleme strukturore në mbrojtjen e mbretërisë saudite. Ata thonë se sistemet – megjithëse të sofistikuara – janë krijuar për mbrojtje kundër sulmeve të stilit tradicional – dhe jo për ato asimetrike, si sulmet me dronë./voa