Administrata amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet (FDA) autorizoi të premten vaksinën e kompanisë Pfizer dhe BioNTech për përdorim emergjent, duke i hapur rrugën vaksinimit të miliona njerëzve.
Autorizimi i vaksinës shënon një pikë kthese në Shtetet e Bashkuara, ku pandemia ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 292 mijë njerëzve.
Vaksinimet pritet të fillojnë së shpejti. Presidenti Trump tha se vaksinimi i parë me Pfizer do të jepet në SHBA brenda më pak se 24 orëve.
Të parët do të vaksinohen miliona punonjës të shëndetësisë, pasuar nga personeli dhe banorët e qendrave për të moshuarit, individët me sëmundje të tjera ekzistuese si dhe amerikanët e moshuar. Pjesa tjetër e popullatës do të duhet të presë deri në prill apo maj të vitit të ardhshëm.
Një ditë më parë, komisioni këshillimor i FDA e mbështeti autorizimin, pasi analizoi shqetësimet e ngritura rreth vaksinës. “Amerikanët kërkojnë dhe meritojnë një analizë rigoroze, të gjithanshme dhe të pavarur të të dhënave,” thotë Doran Fink, pjesë e komisionit këshillimor.
Në pritje të vaksinës kundër COVID-19, spitalet po përgatisin stafin për protokollin e vaksinimit.
Presidenti Trump e quajti vaksinën sukses të madh gjatë një takim të nivelit të lartë që organizoi në fillim të javës, ku nuk kishte ftuar anëtarë të ekipit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden. Ekipet përkatëse të tranzicionit, kanë filluar të komunikojnë vetëm pak kohë më parë dhe presidenti ende nuk e ka pranuar humbjen.
“Është bërë një punë e jashtëzakonshme. Do të jetë e jashtëzakonshme edhe për administratën e ardhshme. Shpresojmë që të vazhdojë të jetë një administratë Trump edhe në të ardhmen,” tha presidenti.
Po atë ditë, zoti Biden prezantoi ekipin e administratës së ardhshme për shëndetin publik. Ai tha se do t’u kërkojë amerikanëve të mbajnë maskë për 100 ditët e para të administratës së tij, premtoi të hapë shkollat dhe të realizojë vaksinimin.
“Të paktën 100 milionë amerikanë do të vaksinohen në 100 ditët e para të administratës sime,” tha zoti Biden,
Në fillim të javës, Shtetet e Bashkuara regjistruan numrin më të lartë të viktimave me mbi 3,100 të vdekur nga COVID-i brenda një dite.
Mbi 192 mijë vetë kanë vdekur në SHBA dhe janë identifikuar mbi 15 milionë të infektuar. Kjo situatë e pret administratën e ardhshme.
“Ata duhet të përqëndrohen tek mesazhi i duhur në komunikimin me publikun, tek pajisja e personelit mjekësor me të gjitha që u nevojiten, tek shpërndarja e vaksinave. Të gjitha këto duhet të fillojnë që në ditën e e parë të administratës së ardhshme,” thotë analisti Anand Parekh.
Më herët të premten, disa media amerikane bënë të ditur se shefi i stafit i Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows i kishte kërkuar kreut të Administratës së Ushqimeve dhe Ilaçeve Stephen Hahn të jepte autorizimin brenda ditës, duke shtuar se nëse kjo nuk ndodhte ai duhej të përgatitej të jepte dorëheqjen.
Një zyrtar i lartë i administratës tha se kjo “nuk ishte tejkalim i ndonjë kufiri”, por ishte më shumë një “thumbosje” me synimin për të nxitur “FDA-në për të vepruar me shpejtësi dhe për të kryer punën e shmangur vonesat”.