Shtetet e Bashkuara thanë të enjten se fuqizimi i shpejtë bërthamor i Kinës përbën shqetësim dhe i bënë thirrje Pekinit të angazhohet në dialog për “masa praktike për të reduktuar rrezikun e një gare destabilizuese armatimesh”.
Shtimi i armatimeve bërthamore kineze është bërë më i qartë, ndërsa Kina largohet nga strategjia që ka ekzistuar prej dekadash për shkurajim minimal, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price në një konferencë për shtyp.
Zoti Price i bëri komentet në përgjigje të një pyetjeje lidhur me një artikull nga Washington Post se Kina kishte filluar të ndërtonte mbi 100 struktura mbajtëse për raketa në një zonë shkretinore në perëndim të vendit.
“Këto zhvillime dhe të tjera çojnë në përfundimin se arsenali bërthamor i Kinës do të rritet me shpejtësi dhe në një nivel më të lartë se ç’parashikohej më parë,” tha zoti Price.
“Kjo krijon shqetësime dhe thekson rëndësinë që të ndjekim masa praktike për të ulur kërcënimin bërthamor,” tha zëdhënësi.
Ai shtoi se administrata Biden i përmbahet pozicionimit për stabilitet strategjik në angazhimet me Rusinë dhe “një mendësi e njëjtë do të ndiqej edhe në angazhimin me një fuqi tjetër bërthamore, Kinën”.
Zoti Price shtoi se Uashingtoni i ka dëgjuar me vëmendje komentet e Presidentit Xi Jinping në ceremoninë për 100 vjetorin e themelimit të Partisë Komuniste, por “nuk do të bëjmë komente specifike”.
Në fjalimin e tij, zoti Xi paralajmëroi se forcave të huaja që përpiqen ta frikësojnë Kinën “do t’u shtypet koka” dhe u betua të forcojë ushtrinë.