Delegacionet e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë përfunduan bisedimet në Gjenevë, që janë pjesë e përpjekjev diplomatike që do të zhvillohen gjatë kësaj jave.
Bisedimet janë nxitur nga kërkesat e Moskës për marrëveshje rreth sigurisë dhe grumbullimit të trupave ruse afër Ukrainës.
Zëvendëssekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman, që ka udhëhequr delegacionin amerikan, tha se bisedimet dypalëshe me zëvendësministrin e Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, ishin “serioze”.
Sherman iu referua takimit me termin “bisedime” dhe jo “negociata” dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara nuk kanë shqyrtuar një nga një kërkesat e Rusisë.
Sipas Sherman, në këtë takim SHBA-ja prezantoi disa propozime, përfshirë edhe për vendosjen e raketave dhe kufizimet për stërvitjet ushtarake.
Propozimet SHBA-së duhet të jenë reciproke dhe hodhi poshtë thirrjet për zvogëlimi i trupave amerikane në Evropën Lindore, duke thënë se kjo çështje “nuk ishte në agjendën” e bisedimeve të mbajtura më 10 janar.
Bisedimet vijnë në kohën e rritjes së tensioneve për shkak të grumbullimit të trupave ruse në afërsi të kufijve të Ukrainës. Perëndimi ka frikë se ky grumbullim është sinjal se Moska po përgatitet që ta pushtojë Ukrainën. Më 2014, Rusia e aneksoi Gadishullin ukrainas të Krimesë dhe mbështetë separatistët që luftojnë me forcat qeveritare në lindje të Ukrainës.
Gjatë javës, zyrtarë të Perëndimit dhe ata rusë do të zhvillojnë edhe dy takime tjera në Bruksel dhe Vjenë.
Zyrtarët amerikanë dhe ata rusë janë takuar në një darkë pune më 9 janar në Gjenevë.
Zëvendës-Sekretarja amerikane e Shtetit, Wendy Sherman, udhëhoqi delegacionin amerikan, është takuar me zëvendës-ministrin e Jashtëm rus, Seregei Ryabkov dhe zyrtarë tjerë rusë për dy orë në qytetin zviceran.
Diplomatët e lartë “kanë diskutuar temat të cilat do t’i adresojnë palët” në bisedimet kryesore, të cilat zhvillohen më 10 janar, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price, përmes një deklarate.
Bisedimet do të zhvillohen në kuadër të të ashtuquajturit Dialog për Strategji dhe Siguri, një grup punues i krijuar vitin e kaluar nga SHBA-ja dhe Rusia, me qëllim të fokusimit në kontrollin e armëve.
Bisedimet mes këtyre dy vendeve do t’ia lëshojnë rrugën një tjetër takimi që zhvillohet në kuadër të Këshillit NATO-Rusi në Bruksel, dhe një takimi tjetër në margjina të Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Evropë (OSCE), i cili mbahet në Vjenë po këtë javë.
Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë se vetëm disa çështje do të diskutohen në Gjenevë, mirëpo Shtetet e Bashkuara “nuk do të diskutojnë për sigurinë evropiane pa aleatët evropianë dhe partnerët”.
Kjo deklaratë ka qenë referencë për kërkesat e Rusisë ndaj SHBA-së dhe NATO-s për garanci rreth sigurisë.
Departamenti amerikan i Shtetit po ashtu ka thënë se Sherman ka theksuar që Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj parimeve ndërkombëtare të sovranitetit, integritetit territorial dhe lirisë së shteteve sovrane që të zgjedhin aleancat e tyre, si referencë ndaj Ukrainës dhe aspiratave të saj për t’iu bashkuar NATO-s.
Sherman është cituar të ketë thënë se Shtetet e Bashkuara mirëpresin përparimin përmes diplomacisë.
Teksa është larguar nga darka, Ryabkov u ka thënë gazetarëve se palët kanë diskutuar çështje të rëndësishme dhe se bisedimet do të jenë të vështira.
“Ato nuk mund të jenë të lehta. Mendoj se nuk do të humbim kohë”, ka thënë ai.
Ky nivel i lartë i bisedimeve vjen në kohën e pozicionimit të trupave ushtarake ruse afër kufirit me Ukrainën.
Perëndimi shqetësohet se kjo gjë jep shenja që Moska është duke u përgatitur për pushtim të Ukrainës.
Rusia ka aneksuar Gadishullin ukrainas të Krimesë më 2014 dhe ka mbështetur separatistët që luftojnë me forcat qeveritare në Ukrainë.
Kriza aktuale kanë shtyrë presidentin amerikan, Joe Biden dhe homologun e tij rus, Vladimir Putin që të zhvillojnë dy biseda telefonike në muajin dhjetor.
Putin ka prezantuar një listë kërkesash, përfshirë garanci se NATO-ja nuk do të zgjerohet në lindje, përkatësisht në ish-vendet e Bashkimit Sovjetik, siç janë Ukraina dhe Gjeorgjia.
Kremlini po ashtu ka thënë se dëshiron që aleanca të mos dërgojë trupa dhe armë në Evropën Lindore.